Beqiraj, një kosovar kundër Shqipërisë

15/05/2010 12:30

Është shqiptar, i lindur në fshatin Radac të Komunës së Pejës në Kosovë, por më 25 maj pritet të zbresë në fushë me bluzën e Malit të Zi për të mundur Shqipërisë.

Ky është sulmuesi  22-vjeçar Fatos Beqiraj, ku të enjten ka marrë një ftesë nga përfaqësuesja malazeze për dy ndeshjet e ardhshme miqësore të kësaj skuadre. Mali i Zi më 25 maj pret Shqipërinë në Podgoricë, ndërsa më 29 maj luan kundër Norvegjisë në Oslo. Trajneri i fqinjëve tanë veriorë, kroati Zlatko Kranjçar, zbuloi javën e kaluar listën me emrat e futbollistëve të ftuar, në të cilin nuk figuronte Beqiraj. Por thirrja e tij me vonesë u bë për shkak se sulmuesi i Seulit, Dejan Damjanoviç, nuk mundi të marrë leje nga klubi i tij për t’iu bashkuar përfaqësueses së vendit të tij.

Beqiraj e ka nisur karrierën e tij te FK Besa, por që nga sezoni 2007-2008 ka kaluar në radhët e skuadrës së njohur malazeze Buduçnosti, me të cilën deri tani ka qenë aktiv në 87 ndeshje, ku ka shënuar 45 gola. Shpejt u bë një ndër lojtarët më të mirë të kampionatit malazez dhe u ftua në përfaqësuesen U-21 të këtij vendi. Më pas u ftua edhe në Kombëtaren A. Deri tani ai ishte aktivizuar në radhët e Kombëtares U-21 të Malit të Zi. Kjo nuk është hera e parë që kosovari ftohet në Kombëtaren e parë të Malit të Zi. Ai ka luajtur tri herë deri tani, ndërsa numëron pesë ndeshje dhe një gol në radhët e Kombëtares U-21 të këtij vendi. Por kjo ftesë ka befasuar edhe vetë sulmuesin e Buduçnostit. “Nuk kam pritur këtë ftesë, shprehet Beqiraj për ‘Kohën Ditore’. Kemi një ndeshje të rëndësishme me ekipin Shpresa dhe prisja të aktivizohesha me ta”. Por grumbullimin për ndeshjen e 25 majit kundër Shqipërisë e përjeton me shumë emocione.

Në fjalët e tij lë të nënkuptohet se është një moment i veçantë për të kjo përballje, pasi ai ndihet shqiptar dhe se zemra e tij rreh “kuqezi”. “Do të jetë emocionuese të luaj kundër Shqipërisë. Ajo është Kombëtarja ime, jam tifoz i Kombëtares së Shqipërisë”, thekson Beqiraj. Tashmë skuadra e Malit të Zi brenda pak ditëve pret të fillojë grumbullimin për ndeshjen e kuqezinjve, ndaj të cilëve do të luajë për herë të dytë në historinë e të dyja kombëtareve. Ndeshja e parë daton më 1946-n e largët, e cila është fituar 5-0 nga kuqezinjtë.

Top Channel