Tirana-Dinamo, sfidë prestigji

14/05/2010 13:05

Derbi dhe mbijetesa janë kryefjala e javës së parafundit (32-të) të sezonit, e cila do të marrë jetë sot pasdite. Tashmë janë në pritje të konfirmohen zyrtarisht sy skuadrat e fundit që do të luajnë në Europa League.

Por akoma edhe më e ndezur propozohet të jetë lufta për mbijetesë në këto dy javë të mbetura, ku janë në garë të paktën pesë skuadra: Shkumbini (42 pikë), Skënderbeu (41), Kastrioti (39), Teuta (39) dhe Apolonia (38). Mbeten për t’u përcaktuar edhe dy skuadrat, të cilat shkojnë në play-out dhe shoqëruesja e Gramozit, që do të shkojë direkt në Kategorinë e Parë. Për ata që janë të dashuruar me futbollin elitar, sot e gjithë vëmendja do të përqendrohet te derbi Tirana-Dinamo.

Është një sfidë direkte midis ish-kampiones (sezoni 2008-2009), Tiranës, dhe kampiones së re (2009-2010), Dinamos. Tirana i ka humbur të dyja ndeshjet sezonale me blutë: me të njëjtin rezultat 2-1. Dinamo vjen pas një serie prej shtatë humbjesh rresht në fazën e tretë.

Tirana ka nevojë për fitore për të zyrtarizuar të paktën vendin e katërt, përpara se të përballet në javën e fundit në Korçë ndaj një Skënderbeu që kërkon maksimumin. Dinamos i mungon motivimi, pasi titullin kampion e ka fituar tashmë. Por sot nuk është e vështirë të motivohet, siç thotë trajneri Muça, sepse vetë derbi i motivon automatikisht lojtarët, të cilët, një fund sezoni të përfolur do ta mbyllnin të paktën në një mënyrë të bukur, duke marrë një fitore të bukur ndaj rivalit historik të tyre, për t’i lënë më pas rrugë të hapur festës zyrtare të titullit. Blutë synojnë për të bërë më në fund një ndeshje të vërtetë, përpara se të përballen në ndeshjen e fundit me Besën, ku në përfundim të takimi do të ngrejnë zyrtarisht edhe trofeun e kampionit. Të dyja skuadrat së bashku kanë fituar 40 tituj (gati 2/3) nga 71 kampionate të zhvilluara deri tani, ndërkohë që sot do të zbresin në fushë për të vendosur fatin e derbit nr.121 në përballjet historike mes tyre. Për momentin bilanci anon nga bardheblutë, të cilët nga 120 ndeshje të zhvilluara deri tani, kanë fituar 48, 45 janë fituar nga Dinamo, ndërsa 27 janë mbyllur në barazim. Trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça (tekniku i 11-të që ka fituar një titull me blutë), tha: “Po e përgatis skuadrën për ta fituar ndeshjen. Ne nuk jemi në presionin e rezultatit, sepse i kemi realizuar objektivat tona. Edhe Tirana nuk e ka presionin e rezultatit, ndonëse i ka mbetur një dhjetë përqindësh. Kjo ndeshje është për prestigj”. Për blutë është në dyshim vetëm Putincani (i sëmurë), ndërsa Tiranës do t’i mungojnë me siguri Mukaj e Abraham (të skualifikuar). Për sa u përket ndeshjeve të tjera, spikat dueli Apolonia-Vllaznia, ku fierakët kërkojnë me çdo kush tri pikët për të shpresuar shpëtimin, ndërsa shkodranët nuk mund ta lejojnë këtë gjë, pasi do ta komplikonte renditjen e tyre. Laçi, i cili është më afër se kurrë pranë Europa League, pret në shtëpi sot Skënderbeun e uritur për pikë, për të garantuar qëndrimin në Superiore. Teuta pret në shtëpi Flamurtarin, Shkumbini ndeshet me Kastriotin në Peqin, ndërsa Besa pret Gramozin e rënë në Kategorinë e parë.

Top Channel