Rama: Fitorja e kauzës sonë, shumë e afërt

14/05/2010 20:15

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama,  i pritur mes ovacionesh nga mbështetësit e opozitës që mbushën bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit”, deklaroi se ajo cfarë kërkohet sot është një Shqipëri Europiane me qeverisje të zgjedhur nga populli.

“Nuk është greva jonë e urisë shkaku që ka sjellë thellimin e krizës,apo mungesën e normalitetit në vend”, theksoi Rama.

Kreu socialist kërkoi nga protestuesit që të thërrasin njëzëri kërkesën e hershme të opozitës për pushtetarët “Hapni kutitë!”

“Rezistencë, kurajo dhe durim. Vetëm kështu do ta fitojmë betejën tone për transparencën e zgjedhjeve, pa thyer asnjë xham dhe pa këputur asnjë lule. Varfëria është armiku ynë dhe nuk mund të jemi kaq të varfër sa t’i drejtohemi dhunës si mjet për kauzën tonë”, u shpreh Rama.

Kreu socialist i bëri thirrje drejtuesve të policisë që të mos shkelin të drejtat e protestuesve duke zbatuar urdhërat e pushtetit.

“Kur qeveria merr votën edhe po nuk ia dhanë, kthehet në një regjim që pasuron veten duke varfëruar popullin”, u shpreh Rama, duke theksuar se Shqipëria është zhytur në varfëri dhe se papunësia është në rritje.

Rama deklaroi se protesta e opozitës, eshte një shprehje e qytetërimit,që shënon pikën e kthesës për të ardhmen dhe për një të nesërme më të mirë.

“Kjo nuk është një luftë mes dy palësh, por një përplasje mes dy botësh. Ne jemi bota e lirë e njerëzve që kërkojmë lirinë për të zgjedhur dhe për të punuar si të barabartë”, u shpreh Rama.

Duke folur për grevën e urisë që po hyn në ditën e 15-të të saj, Rama theksoi se rruga e së vërtetës është e vështirë dhe e mundshme, sidomos kur përballet me pushtet si ky që po vepron në Shqipëri.

“Fitorja e kauzës sonë është shumë më afër sec ishte dy javë më parë, arritja e qëllimit tonë është shumë më pranë, ndaj ashtu sic e keni demonstruar kurajon për të rezistuar duhet të vazhdoni ta demonstroni të gjithë bashkë. Eshtë koha për zgjidhje. Askush mos mendojë se ne do të thyhemi ne nuk lëvizim prej këtej sepse ajo që ne kërkojmë është interesi ynë kombëtar, interesi i cdo qytetari. Kjo është një betejë për Shqipërinë e re, për ta cliruar vendin nga kthetrat e koprrupsionit, është një betejë për vendin tonë ku populli zgjedh ata që do ta qeverisin”, u shpreh Rama.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA