Madridi në festë… jo per Realin

13/05/2010 15:35

Kike Sancez Flores, trajneri i Atletiko Madrid nuk e fsheh lumturinë e tij për realizimin e një ëndrre për të, lojtarët dhe tifozët e klubit spanjoll, i cili nuk merrte një trofe kontinental prej 38 vjetësh.

“Jemi shumë të kënaqur që kemi fituar një kompeticion kaq të rëndësishëm”, ka deklaruar pas finales, Flores. “Skuadra ime dhe tifozët e Atletikos anembanë botës kanë të drejtën e tyre të gëzohen, pas një sezoni të gjatë dhe të vështirë, që kurorëzohet me një trofe”, shtoi ai.

Heroi i mbrëmjes, Diego Forlan ia ka dedikuar këtë titull familjarëve të tij dhe tifozëve të skuadrës. Nga ana tjetër trajneri i Fulham, Roi Hodgson e ka patur të vështirë të ngushëllojë lojtarët e tij pas finales. “Mendoj se ndeshja duhet të shkonte drejt 11 metërshave. Lojtarët normalisht janë shumë të mërzitur, gjithësesi i falënderoj sepse kanë bërë maksimumin e tyre në këtë finale”, ka theksuar Hodgson.

Menjëherë pas ndeshjes, mijëra tifozë me fanelat e skuadrës së Atletikos kanë vëshuar drejt qendrës së Madridit për të festuar fitoren e këtij trofeu. Të gjitha thirrjet dhe brohoritjet e tifozëve të Atletikos ishte për uruguajanin Forlan, ai që me dy gola i dha skuadrës trofeun e Europa League.  Por festa është prishur në orët e para të mëngjesit, pasi tifozët e skuadrës kanë hedhur sende të forta dhe janë konfrontuar me policinë e cila kërkonte nga tifozët t’i jepnin fund festimeve.

Top Channel