Dritëhijet e hotel “Dajtit”

13/05/2010 20:15

Shitja e ish-hotel “Dajtit” është bërë me propozim direkt të kryeministrit Sali Berisha. Ka qenë vetë shefi i qeverisë ai që ka propozuar shitjen e pronës shtetërore tek Banka e Shqipërisë, një proces që është ndjekur nga Ministria e Financave dhe është miratuar formalisht nga Ministria e Ekonomisë.

Një vendim që ngjalli diskutime për shkak të mungesës së transparencës dhe që është kundërshtuar ashpër nga opozita.

“Operacioni i blerjes nga Banka e Shqipërisë të hotel “Dajtit” është spekulativ dhe i pajustifikuar. Një përfaqësues i kthyer në politikë që drejton BSH-në, ortak me Berishën që nga 96-a, po mundohet të mbajë në këmbë një ngrehinë që duhet të kishte rënë si pasojë e arkave bosh që ka”, ka deklaruar deputeti i PS, Erjon Brace.

Jo vetëm socialistët mendojne se përmes këtij transaksioni qeveria synon të financojë krizën e buxhetit.

Por nga ana e saj qeveria, në versionin e saj zyrtar e ka cilësuar shitjen brenda kuadrit ligjor, ndonëse ekspertët e Ministrisë së Ekonomisë nuk kujtojnë ndonjë precedent ku shteti i shet shtetit një pronë publike, një forme e qarkullimit të parave brenda institucioneve shtetërore.

“Është plotësisht i ligjshëm, nuk ka asnjë shkelje të kushtetutës. Me aq sa kam informacion, them se s’mbaj mend ndonjë rast të tillë. Duhet të ketë qenë ndonjë rast i parëndësishëm”, ka deklaruar specialisti Zamir Stefani.

Ende nuk dihet nëse vendimi i bankës për të blerë ambjente te reja ka qenë i parashikuar që më parë. Nese do të kishte qenë i tillë, blerja duhet të ishte parashikuar në buxhetin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2010.

Edhe pse Top Channel e kërkoi zyrtarisht, banka nuk e publikon buxhetin për vitin në vijim, në të cilin mund të shihej nëse e kishte parashikuar këtë investim që në fillim të vitit apo blerja ka qenë një vendim i minutave të fundi i nxitur edhe nga të tjera arsye.

Arsyeja që dyshon opozita është ajo e arkës bosh, e cila merr një ndihmë jo të vogël financiare nga shitja e ish-hotel “Dajtit”.

Dyshime të cilat shtohen edhe nga një fakt tjetër. Banka kishte blerë dhe marrë me qera sakaq një sërë ambientesh të tjera për t’i paraprirë rikonstruksionit të godinës së saj qëndrore.

Sërish një tjetër pikë e pazbardhur mbetet edhe fakti nëse a ka një vendim te këshillit mbikqyrës së bankës për këtë cështje.

Dy vitet e fundit ka patur disa raste transaksionesh financiare mes bankës dhe qeverisë, dhe të gjitha me një drejtim, ku banka i jep para qeverisë në forma të ndryshme, duke përfshirë kredi direkte dhe së fundmi edhe blerjen e një prone publike.

Top Channel