Duket se privatizimi i të vetmes kompani shtetërore të naftës do të zgjasë edhe ca kohë, pavarësisht planit për ta mbyllur brenda 6-mujorit të parë 2010.
Pas tenderit të parë, zhvilluar më 11 shkurt nga Agjencia e Burimeve Natyrore, ku të 6-ta ofertat u anuluan, Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës kryen prokurimin e radhës, më 31 mars, por edhe këtu shfaqen problemet. Një kompani bullgare (KPMG Bulgaria), e pranishme në tender, është ankuar tek Avokati i Prokurimeve, për parregullsi në tender.
Mësohet se pas shqyrtimit të dokumentacionit, Avokati i Prokurimeve, strukturë në varësi të Kryeministrisë, ka nisur hetimet më 15 prill. Nisja e hetimeve deri në rezultatin final të vendimit bllokon procesin për shpalljen e fituesit, për pasojë dhe të procesit për privatizimin e Ndërmarrjes Shtetërore të Naftës.
Tenderi, me vlerë 300 mijë dollarë është shumë i rëndësishëm për palën shqiptare, që synon mbylljen me sukses të privatizimit, por edhe një hap drejt garancisë për investitorët e huaj. Hetimet pas ankesës së kompanisë bullgare, vjen në një kohë që Tiranën do ta vizitojë më 13 maj ministri i Jashtëm i Bullgarisë, në kuadër të ë cilës bëhet edhe me rastin e krijimit të Dhomës së Tregtisë Bullgari-Shqipëri.
Në tenderin e parë, kishin marrë pjesë 6 kompani, por asnjëra nuk rezultoi me ofertë të rregullt, duke sjellë anulimin e procedurave dhe nisjen nga e para. Këtë proces e kishte monitoruar Avokati i Prokurimeve, i cili në raportin e tij, vë në dukje disa vërejtje. Ministria e Tregtisë dhe Energjetikës, deklaron se, midis mangësive të tjera “është konsideruar mospërmbushje e kritereve kualifikuese fakti që shoqëritë e huaja kanë paraqitur dokumente pa vulën apostile”, ndërkohë që sipas Avokatit të Prokurimeve, “një gjë e tillë nuk është e cilësuar si kërkesë në dokumentet e tenderit”.
Gjithashtu, është konsideruar mospërmbushje e kritereve kualifikuese fakti se disa dokumente nuk ishin origjinale apo fotokopje të noteruara. Por edhe këtë pikë AvP e kundërshton, me sqarimin se, “në formatin elektronik dokumentet mund të jenë skanuar pa ngjyra apo shpeshherë nuk dallohet qartë noterimi, prandaj autoriteti kontraktor duhet të kërkojë sqarime nga ofertuesit përpara se t’i refuzojë ofertat”.
Duke u bazuar nga çfarë kishte ndodhur në tender, institucioni i Avokatit të Prokurimeve i rekomandon Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, “të analizojë me përgjegjësi shkaqet e anulimit të tenderit, me qëllim që në rihapjen e procedurës së prokurimit dokumentet e tenderit të hartohen me kritere të qarta kualifikuese duke sqaruar posaçërisht mënyrën e noterimit dhe të vendosjes së vulave apostile në dokumentet e konkurrentëve të huaj, për të siguruar pjesëmarrje të gjerë të ofertuesve të specializuar në fushën e konsulencës për privatizimet”.
Hapi i privatizimit është vlerësimi i aseteve, e më pas gjetja e konsulentit, kurse sa i takon formulës, Ministria e Ekonomisë nuk e ka ende të qartë, nesh do të jetë koncesion apo shitje e tëra.
Top Channel