Prapaskenat e skuadrës së pestë shqiptare në Europë

12/05/2010 14:25

Shanset që Shqipëria të mund të përfaqësohet me pesë dhe jo katër skuadra sezonin e ardhshëm në kompeticionet europiane: 1 në Champions League (Dinamo, kampionia e re e vendit) dhe 4 në Ligën e Europës (Besa, si fituese e kupës dhe 3 skuadra të tjera) janë rritur shumë.

Federata Shqiptare e Futbollit bëri të ditur se ka pasur një njoftim nga zyrat e UEFA-s, prej të cilit Shqipëria mund të përfitojë një vend në Europë prej bonusit për skuadrat “fair-play”. Duke parë se Laçi e Tirana (renditen aktualisht në vendet 3-4) mund të luajnë në Europa League, atëherë FSHF-ja do të përcaktojë edhe skuadrën shqiptare “fair-play”, e cila mund të zgjidhet midis Skënderbeut dhe Teutës.

Vllaznia (është në hetim nga UEFA), Flamurtari (ka pasur disa incidente gjatë zhvillimit të kampionatit) dhe Apolonia (ka lëshuar akuza publike për shitje ndeshjesh ndaj lojtarëve të saj), ka të ngjarë të mos plotësojnë kriteret e “fair-play”. Ato që e bëjnë më të besueshme këtë fakt janë edhe prapaskenat që janë folur gjatë ditës së djeshme në korridoret e FSHF-së, ku ndihet optimizmi për realizimin e një ideje të tillë.

Edhe zhvillimet në periudhën e fundit 1-vjeçare në lidhje me futbollin tonë janë komprometuese (si për shembull situata e renditjes së Shqipërisë në klasifikimin “fair-play” nuk është e favorshme dhe ajo cenohet disi nga imazhi jo i mirë që ka lënë pas hetimi i UEFA-s për dy skuadrat shqiptare, Tiranës dhe Vllaznisë, për shitje ndeshjesh në edicionin e kaluar të Kupave të Europës), sipas zërave të besueshëm në korridoret e FSHF-së, ky besim mbështetet te suporti i fuqishëm i shqiptarëve në organin më të lartë të futbollit në Kontinentin e Vjetër, pikërisht nga presidenti Mishel Platini.

Siç dihet, numri një i FSHF-së, Armand Duka, është një mbështetës besnik i liderit të UEFA-s, për të cilin edhe votoi në zgjedhjen e këtij të fundit si president të qeverisë së futbollit europian. Por tani duket se ka ardhur momenti që Platini, “nderin” t’ua shpërblejë shqiptarëve me katapultimin e një skuadre të pestë të Shqipërisë në kupat e Europës. Kjo është mendësia që rrit optimizmin shqiptar. Nëse kjo ide do të realizohej, atëherë gara do të ishte mes vetëm dy ekipeve, Skënderbeut dhe Teutës, për të merituar vendin e hapur për “fair-play”.

Por edhe për këtë garë qarkullon një tjetër prapaskenë interesante. Sikurse përflitet, si më i favorizuar, jo tamam për meritë të “fair-play”-it në këtë sezon, shikohet skuadra e Skënderbeut. Nga burime jo zyrtare flitet se ministri Ridvan Bode i ka premtuar federatës dhënien e stadiumit, duke investuar 20 milionë euro, të cilave i shtohen edhe 10 milionë euro nga UEFA. Në FSHF nuk e thonë zyrtare, sepse duan të mbarojë kampionati më parë (atyre nuk u intereson të hapet tani, mbi të gjitha në mënyrën: “Nderi lahet me nder”. Për të mësuar versionin zyrtar do të duhet të presim përfundimin e sezonit.

Top Channel