Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit po zbatohet pa pengesa, por shqetësimet e shprehura në qëndrimin e përbashkët të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, për zbatimin efikas të detyrimeve të MSA-së nga autoritetet shqiptare, u përcollën dhe në Këshillin e Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri.
Kështu, Brukseli kërkon uljen e taksës për importin e makinave të përdorura, siç detyron MSA. Legjislacioni shqiptar duhet të përputhet me standartin e BE-së duke përfshirë këtu dhe për luftën ndaj ekonomisë informale.
Për shërbimet e komunikimit elektronik vërehet se ligji nuk është miratuar deri në 1 prill 2010 siç parashikonte MSA.
Duhet të ndryshojë ligji për median audiovizuale dhe duhet të zbatohet strategjia për kalimin nga transmetimi analog në atë dixhital.
Në sektorin energjetik, vlerësohet përafrimi i legjislacionit dhe përpjekjeve për të vendosur çmimin e energjisë elektrike në nivelin e mbulimit të kostos.
“BE vëren gjithashtu se garantimi i ofertës së energjisë elektrike është ende i pasigurtë si pasojë e kapacitetit të pamjaftueshëm prodhues, mungesës së shumëllojshmërisë së burimeve energjetike dhe kapaciteteve të kufizuara ndërkomunikuese për import”, thuhet ndër të tjera në raport.
Në qëndrimin e përbashkët, 27 vendet anëtare kanë marrë seriozisht planet e Shqipërise për ngritjen e një centrali bërthamor në të ardhmen.
“Në lidhje me përdorimin potencial të energjisë nukleare për prodhim të elektricitetit, duhet të përmbushen standartet më të larta të sigurisë, mbrojtjes nga rrezatimi radioaktiv dhe siguria e mospërhapjes, si dhe bashkëpunim i ngushtë me Agjensinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore është i domosdoshëm për të garantuar transparencën e nevojshme”, vazhdon raporti.
Satistikat e Shqipërise duhet të përmirësohen, sidomos për të dhënat kyçe të makroekonomisë dhe biznesit.
“Çështjet e pazgjidhura të pronësisë kanë nënvleftësuar përpjekjet për zhvillimin e një tregu funksional të tokës dhe kanë mbajtur investimet e huaja nën potencialin e tyre. Përmirësimi i sigurisë legale është kyç për forcimin e metejshëm të klimës së biznesit dhe për adresimin e risqeve të korrupsionit”, thuhet në vijim.
E drejta e autorit nuk respektohet siç duhet. Pakënaqësi vërehen për kontrollin ushqimor, veterinar e filosanitar, ku nënvizohet më shumë përpjekje për kontrollin e sëmundjes së kafshëve. Për peshkimin kërkohet përafrim i legjislacionit. Shqipëria duhet të adresojë barrierat që mbeten në fushën e investimit.
Për zbatimin efikas të MSA-së, Bashkimi Europian vlerëson se duhet të përmirësohen kapacitetet administrative, term ky që përsëritet veçanërisht në dogana e tatime, sektorin e bujqësisë, industrisë, pronës intelektuale, e në fushën e konkurrencës. Kërkohet kapacitete dhe menaxhim i duhur për Instrumentin e Para-Antarësimit, instrument ky përmes të cilit BE asiston vendin tonë me 269.4 milionë euro për periudhën 2009-2011.
BE përsëriti kërkesën e saj ndaj Shqipërisë për marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara për mosdorëzimin e shtetasve amerikanë, e cila vlerësohet e papërputhshme me principet e BE-së, Statusin e Romës dhe Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve.
Top Channel