Atletiko Madrid fituesja e Ligës së Europës

12/05/2010 23:50

Skuadra e Atletiks së Madridit është kampionia e parë e trofeut të Europa Ligë. Spanjollët fituan në kohën shtesë 2-1 ndaj anglezëve të Fulhemit.

Dy ekipet finaliste të këtij trofeu u ndeshën në stadiumin “Nordabank Arena” të Hamburgut për të diskutuar trofeun e dytë të kompeticioneve europiane.

Ndeshja nisi vrullshëm prej të dyja skuadrave, por madrilenët e Atletikos gjejnë golin e parë kur në minutën e 32 sulmuesi uruguajan Diego Forlan shënon duke kaluar skuadrën e Kike Sançez në avantazh.

Ky avantazh zgjati vetëm pesë minuta pasi në të ’37-ën anglezët e Fulhem barazojnë me anë të Simon Dejvis i cili shfrytëzoi mjaft mirë një asist të Klint Dempseit. Pjesa e parë mbyllët në barazpeshë 1-1.

Në të dytën skuadrat pas kanë marrë udhëzimet nga trajnerët përkatës ka nisur më e ekuilibruar me të dyja skuadrat të vendosura mirë në mbrojtje dhe që provonin të gjenin golin e avantazhit nëpërmjet gjuajtjeve në distancë, ku vlejnë të përmenden tentativat e anglezëve në disa raste, tentativa këto të neutralizuara nga portieri 18 vjeçar i Atletikos së Madridit Devid de Gea.

90 minutëshi mbyllet 1-1 dhe të dyja skuadrat pas pushimit 5 minutësh i drejtohen pjesëve shtesë. Edhe shtesa e parë prej 15 minutash mbyllet me të njëjtin rezultat. Në të dytën kur vetëm 4 minuta ndanin zgjidhjen e fituesit me anë të penalltive, sërish Diego Forlan shënon për Atletikon duke vulosur rezultatin 2-1 dhe duke çuar trofeun në Spanjë.

Fitimi i trofeut të Ligës së Europës i krijon mundësinë Atletikos së Madridit për sigurimin e një tjetër trofeu europian, atë të Superkupës së Europës që do ta ndajë me fituesin e çiftit të finales së Ligës së Kampioneve, Inter-Bajern Mynih.

Top Channel