Fitorja e Besës në finalen përballë Vllaznisë është festuar edhe nga Tirana. Me këtë rezultat, verdhezinjtë do të luajnë në Europa League si fitues të Kupës së Shqipërisë, që ndryshe përkthehet si hapësirë në kupat e Europës edhe për skuadrën e vendit të katërt në Kategorinë Superiore.
Kampionët e sezonit të kaluar e kanë pritur me krahët hapur “dhuratën” dhe kanë filluar të bëjnë menjëherë llogaritë për edicionin e ardhshëm. Drejtori teknik i klubit bardheblu, Alban Tafaj, theksoi se prej aktivizimit në aktivitetet ndërkombëtare, merkato do të jetë mjaft cilësore dhe kjo do të ndihmojë në përforcimin e kontingjentit. “Me fitimin e Kupës, Besa na ndihmoi shumë edhe pse duhet të theksojmë se ky favor erdhi në mënyrë spontane. Tashmë do të luajmë në Europa League, që ishte edhe objektivi kryesor për këtë sezon”, deklaroi drejtuesi i Tiranës.
“Aktivizimi në kupat e Europës e ndihmon Tiranën në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe për sezonin e ardhshëm. Do të bëjmë një merkato të mirë për t’u paraqitur në mënyrë sa më dinjitoze në Europa League, por edhe për të pretenduar rikthimin te trofetë, ku natyrisht objektivi kryesor mbetet kampionati. Megjithatë, mund të konfirmoj se do të ndërtojmë një grup të mirë për ndeshjet europiane”
Top Channel