Shkëlqimi dhe rënia e “mbretërisë” së shahut

11/05/2010 18:55

Nëse Shqipëria ishte dikur një parajsë shahistësh, çfarë po ndodh tani në epokën e ndryshimeve të mëdha?  Jemi në aneksin e stadiumit “Qemal Stafa”.

Janë orët e para të mëngjesit. Suzana Kërciku po drejtohet me hap të ngadaltë në palestrën e saj të të menduarit. Lodra e saj e preferuar është kutia e shahut, të cilën nuk e ndan nga vetja prej mëse 6 vitesh. Suzana mendohet si një nga talentet premtues të shahut. Falë dhuntisë së saj, megjithëse në moshë të njomë, ajo është ftuar të marrë pjesë në kampionatin e meshkujve për të rritur.

“Nga klasa e parë pashë shkathtësinë e të menduarit. Më lindi ideja që ta fusja në një sport. Tani e vlerësojnë specialistët e shahut. Shpresa ime është shumë larg, kampione Europe, ndoshta edhe bote”, shprehet i ati i Suzanës. Këto djem dhe vajza që kanë lënë lodrat e tyre të preferuara për t’iu përkushtuar pasionit për shahun nuk është se janë pasqyra e vërtetë e shahut sot në Shqipëri. Por mjerisht, ky sport dikur aq i përhapur, ka humbur masivitetin dhe shkëlqimin e tij.

Me dëshpërim të gjithë pranojnë se sot është e vështirë të gjesh ndonjë “Ilo Pinci” që shëtit më kutinë e shahut nëpër rrethe në kërkim të kundërshtarëve të denjë. “Unë kam 40 vite që luaj shah. Per fat të keq sot shahu ka humbur shumë nga vlera e tij”, thotë Leonard Mikeli. Leonard Mikeli është një nga shahistët më të vjetër pjesëmarrës në kampionatin kombëtar të shahut. Ai është “senior” në këtë fushë dhe e ka më të lehtë të gjejë përse-në e rënies së shahut. “Në atë kohë kishte aktivitete. Shkonin në shkolla, beheshin simultane dhe cdo qytet kishte kampionatin e tij lokal”, shton Mikeli.

Shkëlqimi dhe rënia nuk është se kanë prekur vetëm meshkujt. Edhe te femrat madje më e theksuar, ndodh i njëjti fenomen. Eglantina Shabanaj është kampione e shahut për femra dhe shikon me shqetësim uljen e masivitetit në këtë disiplinë. “Te femrat ndihet me shume renia e masivitetit. Kjo ka te beje edhe me kohen kur jetojme, ku interesi eshte i perqendruar ne fusha te tjera te jetes”, pohon ajo. Kur bie fjala për të ardhmen e shahut, gjithsecili ndan mendime të ndryshme, por apeli është i njëjtë; pa punë dhe investime në këtë sport është e vështirë të arrish suksese

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA