“Reporterët pa Kufi” kanë protestuar përmes një deklarate në website-n e organizatës ndaj ndalimit që Partia Socialiste i bëri një ekipi të Radio Televizionit Shqiptar për të përcjellë grevën e urisë.
Ekipi i RTSH-së, thuhet në deklaratë, shkoi në 4 maj në vendin ku mbahej protesta, por u urdhëruan nga zëdhënësja e Partisë Socialiste që të largoheshin nga aty për të ruajtur veten. Kur gazetarët refuzuan të largohen dhe vazhduan punën e tyre, truprojat e partisë ndërhynë dhe i shtynë me forcë.
“Sjellja e Partisë Socialiste është befasuese dhe e papranueshme, thotë organizata ndërkombëtare për lirinë e medias. Asgjë nuk mund të justifikojë këto lloj kufizimesh. Edhe nëse ky është një aksion proteste paqësore, thuhet me tej, nuk ka asnjë arsye që militantët të sulmojnë median, edhe kur nuk e pëlqejnë atë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e organizatës.
E kontaktuar me telefon nga “Reporterët pa Kufi”, zëdhënësja e PS-së, Armela Ymeraj, e justifikoi veprimin, duke thënë se ai u bë për arsye sigurie.
Partia Socialiste, u shpreh ajo, nuk mund të garantojë sigurinë e gazetarëve dhe nuk merr asnjë përgjegjësi për çdo incident të papëlqyeshëm që mund të prekë ekipet e Radio Televizionit Shqiptar. Disa prej të pranishmëve këtu kanë mëri të madhe ndaj Televizionit Publik dhe për ne është e pamundur mbrojtja nga incidentet.
Organizata u bën me tej thirrje organizatorëve të demonstatave të ndërmarrin publikisht përgjegjësinë për të garantuar aksesin e lirë të të gjitha mediave, dhe thotë se policët përgjegjes për mbulimin e ngjarjeve, duhet të jenë në gjendje të ofrojne mbrojtje të mjaftueshme për median.
Top Channel