Qeveria e ka shtyrë sërish në një afat të pacaktuar marrjen e borxhit në tregun ndërkombëtar për shkak të situatës së vështirë në tregjet financiare të Europës.
Burime nga Ministria e Financave i thanë Top Channel se shpresojnë që të arrijnë ta marrin borxhin brenda këtij muaji, më saktësisht para datës 28 maji, për të shlyer përfundimisht kredinë e shtrenjtë që u mor vjet për rrugën Durrës-Kukës.
Top Channel zotëron marrëveshjen që qeveria shqiptare ka nënshkruar me dy bankat e mandatuara për eurobondin, ‘GP Morgan’ dhe ‘Deutsche Bank’. Në marrëveshje është përcaktuar si interes i synuar për letrat me vlerë niveli 7.5 për qind, ndërsa afati i maturimit do të jetë 5 vjet.
Disa ekspertë thonë se do të jetë shumë e vështirë që me këtë situatë të tregjet europiane të financave Shqipëria të mund të marrë borxh me interes 7.5 për qind. Dhe në rast se se qeveria nuk do të arrijë të emetojë eurobondet brenda këtij muaji, atëherë do të jetë e detyruar të paguajë edhe për 6 muaj të tjera, interesat e larta të kredisë 192 milionë euro që mori nga dy bankat private vitin e kaluar, ‘Alfa Bank’ dhe ‘Deutsche Bank’. Aktualisht interesi për këtë kredi është rreth 11 për qind. Shqipëria paguan nga buxheti rreth 20 milionë euro në vit interesa për këtë hua, dhe një shtyrje e detyruar prej 6 muajsh do të ketë një kosto të përafërt me 10 milionë euro për buxhetin. Sakaq tregjet financiare mbeten ende të pasigurta edhe pas arritjes së marrëveshjes nga BE dhe FMN për të ndërhyrë me një paketë shpëtimi 750 miliardë euro.
Burime nga financat thonë se ende investitorët janë në pritje dhe ngurojnë të blejnë letrat me vlerë të qeverive, pasi duan të sigurohen përfundimisht se paketa e shpëtimit ka evituar njëherë e mirë kolapsin financiar të atyre vendeve që rrezikojnë.
Top Channel