BE: Kriza, rrezikoni statusin

10/05/2010 20:00

Një ditë përpara mbajtjes së Këshillit të 2-të të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri, TCH zbulon dokumentin konfidencial që përmban qëndrimin e 27 vendeve anëtare të Unionit ndaj vendit tonë. Dokumenti prej 15 faqesh nis me shqetësimin e mospërmbushjes së kriterit politik të Kopenhagenit për shkak të mosfunksionimit të institucioneve demokratike.

Duke vënë theksin në mosfunksionimin e Kuvendit dhe komisioneve parlamentare që prej zgjedhjeve të vitit të kaluar, BE nënvizon rëndësinë e një bashkëpunimi aktiv të maxhorancës dhe opozitës për të rivendosur veprimtarinë e pandërprerë parlamentare.

“BE i bën thirrje liderëve politikë shqiptarë të marrin parasysh pasojat e mundshme të ngërçit politik për hapat e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në momentin e përgatitjes së opinionit për aplikimin e Shqipërisë, funksionimi i plotë i Kuvendit është thelbësor për të dëshmuar pjekurinë demokratike të Shqipërisë, por dhe per të garantuar progres në reformat kyçe.

BË nënvizon se të gjithë liderët kryesorë politikë ndajnë përgjegjësinë për të rikthyer një dialog konstruktiv politik dhe për të dëshmuar efikasitetin dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

Në atmosferën aktuale politike, është e rëndësishme që të shmangen veprime konfrontuese, deklarata dhe vendime që mund të acarojne më tej situatën.

Ky qëndrim i vendeve anëtare është hedhur në letër dhe është miratuar përpara nisjes së grevës së urisë nga përfaqësues dhe mbështetës të opozitës. Ndërkohë që vlerësimet për situatën e përkeqësuar politike të ditëve të fundit pritet të bëhen të ditura në takimin e ditës së martë, ku do të marrin pjese kryediplomati Ilir Meta, Komisioneri Shtefan Fyle dhe përfaqësues të presidencës spanjolle e vendeve anëtare të BE-së.

Këshilli i Stabilizim-Asociimit, që është dhe takimi i nivelit më të lartë BE-Shqipëri, do të debatojë edhe për sfidat urgjente të vendit në rrugën e tij drejt integrimit europian. Ne dokumentin konfidencial, qendrimi i përbashkët i vendeve anëtare të Unionit përcakton se forcimi i shtetit ligjor, lufta ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, pavarësia e gjyqësorit dhe përforcimi i administratës mbeten sfida të tjera urgjente përveç zgjidhjes së krizës politike.

Gjyqesori:

“BE i bën thirrje qeverisë shqiptare të garantojë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, në veçanti për Gjykatën Kushtetuese, si dhe ndaj gjyqtarëve e prokurorëve. Duhet që për Gjykatën Kushtetuese të bëhet në kohë, bazuar në proçesin e meritave, emërimi i gjyqtarëve të rinj në mes të 2010-ës. Nevojitet një Shërbim Informativ i pavarur, i përgjegjshëm e professional”.

Korrupsioni:

“Numrit i rasteve të korrupsionit që po hetohen, perfshirë gjyqtarë, oficerë policie e doganash, është në rritje. Megjithatë, Korrupsioni mbetet gjerësisht i përhapur dhe përbën një problem veçanërisht serioz në shumë fusha, përfshirë këtu financimin e partive politike, sektorin shëndetësor etj. Kapaciteti investigues i zbatueseve të ligjit dhe prokurorise mbetet i dobët. Niveli i dënimeve për rastet e korrupsionit mbetet i ulët. BE vë re se perceptimi publik daj korrupsionit është perkeqësuar si dhe nënvizon rëndësinë e vendosjes së rezultateve bindëse në hetimin dhe dënimin, e pavarur nga ndërhyrjet politike, përfshirë këtu dhe rastet e korrupsionit në nivele të larta”.

Trafiqet:

“BE vëren realizimin e disa veprimeve të sukseshme ndërkombëtare në luftën kundër trafikut të drogës dhe përpjekje të mira për parandalimin e trafikut të qenieve njerëzore. Por BE thekson se nevojiten ende përpjekje të konsiderueshme në të dy këto fusha si dhe në rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar. Shqipëria mbetet një vend origjine për trafikun e fëmijëve dhe grave për qëllime të shfrytëzimit seksual e punës së detyruar”.

Administrata:

“BE bën thirrje për progres në zbatimin e strategjisë për Reformën e Administratës Publike dhe thekson rendësinë e ngritjes dhe ruajtjes të një shërbimi civil të pavarur, profesional, të bazuar mbi merita dhe të lirë nga ndërhyrjet politike”.

Media:

“BE vëren se biznesi dhe interesat politike vazhdojnë të ndikojnë tek mediat edhe nëpërmjet frikësimit”.

Vlerësohet progresi në fushën e vizave dhe sigurisë së dokumenteve, por vërehet mospërputhshmëri e plotë mes listave pozitive e negative aktuale të Shqipërisë me ato të BE-së. Në dokument bëhet thirrje për zbatimin e ligjeve, strategjive dhe planeve të aksioneve ndaj emigracionit, trafiqeve dhe luftës ndaj pastrimit të parave, korrupsionit e krimit të organizuar.

Për kriterin e dytë të Kopenhagenit vlerësohet performanca pozitive e rritjes ekonomike, por kërkohet vigjilence ndaj risqeve që has sistemi bankar.

Ekonomia

“Në kontekstin e nje situate ekonomike ende delikate nderkombetare e rajonale, BE inkurajon Shqiperinë të ndërmarrë me shpejtësi veprimet për të garantuar stabilitetin makroekonomik. Restaurimi i disiplinës fiskale, duke pasur parasysh zgjerimin e defiçitit buxhetor dhe borxhin e lartë e në rritje publik gjatë 2009-ës, kërkon vëmendje të veçantë”.

Qëndrimi i përbashkët i vendeve anëtare të Bashkimit Europian i cili nuk është publik, të martën shndërrohet në deklaraten e përbashkët të takimit me Shqipërinë, ku priten tone më të buta. Por ky dokument, njësoj si ai i një viti më parë, do të përbëjë prioritetet kyçe të qeverisë në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me familjen europiane.

Top Channel