Barcelona dhe Reali i Madridit do të zgjidhin cështjen e titullit javën e fundit të Primera Division. Të dyja skuadrat kryesuese fituan ndeshjet e radhës respektivisht kundër Sevijas dhe Atletiko Bilbaos.
Në “Sancez Pis’huan” të Sevijes, Barcelona nuk e pati të lehtë për të fituar dhe e mbylli këtë takim 3-2. Kampionët e Spanjës e filluan shumë mirë ndeshjen kur kaluan në avantazh që në minutën e 5 të saj me anë të Lionel Messit që regjistroi golin e tij të 32 në këtë sezon. Pas 23 minutave katalanasit dyfishuan rezultatin me anë të Bojan Krkic duke shkuar të qetë në dhomat e zhveshjes.
Në pjesën e dytë, Sevilja mbeti me 10 futbollistë pasi u ndëshkua me karton të kuq Konko dhe pak minuta më vonë Pedro Rodriges shënoi golin e tretë. Gjithcka u mendua se u mbyll shumë lehtë për Barcelonën, por Sevilja reagoi dhe shënoi 2 gola të shpejtë fillimisht me Kanute dhe më pas me Luis Fabianon duke hapur jo pak panik te katalanasit. Pas këtyre golave nuk pati më asnjë ndryshim dhe Barcelona arriti të marrë këto 3 pikë që e mbajnë ende në vend të parë.
Në “Santiago Bernabeu” Reali i Madridit shkatërroi Atletiko Bilbao 5-1. Pjesa e parë u mbyll 1-1 me Ronaldon që shënoi me penallti ndërkohë që skuadra baske mbeti me 10 lojtarë. Më pas Jeste barazoi për Bilbaon duke shfrytësuar një gabim të mbrojtjes madrilene. Rezistenca e Bilbaos zgjati deri në minutën e 73, kur Reali i Madridit shpërtheu dhe shënoi edhe 4 herë të tjerta. Higuain shënoi golin e dytë duke u pasuar nga Serxho Ramos, Benzema dhe marcelo që shënuan golin e 3, 4 dhe të 5.
Top Channel