Fushaj: Vllaznia ime, e uritur për trofe

08/05/2010 14:00

Titullin e fundit kampion, Vllaznia e ka fituar 9 vite më parë (në 2000-2001). Me triumfin ndaj Tiranës në 2007-2008 fituan për herë të fundit Kupën e Shqipërisë.

Po i afrohemi fundit të sezonit të dytë dhe shkodranët ndiejnë më shumë se kurrë urinë për trofe. Pikërisht më 9 maj (nesër) në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” (ora 20.30), kuqeblutë do të kenë një shans për ta thyer këtë pritje, kur në finale do të sfidojë Besën e Kavajës, në formën e saj më të mirë.

Një sfidë që presidenti i skuadrës shkodrane, Valter Fushaj, e ka cilësuar si ndeshjen e sezonit. Dhe e tillë është për ekipin e Edi Martinit, i cili pas një fillimi shumë të vështirë të sezonit, më në fund ka mundur të dalë në gjysmën e parë të tabelës së klasifikimit, por gjithsesi analiza e asaj që kanë mundur të demonstrojë në kampionat do të ketë vetëm një vulë dështimi.

Por fitimi i trofeut të dytë për nga prestigji në futbollin tonë, do ta shpëtonte Vllazninë nga një sezon totalisht i dështuar. Fushaj ka thënë se ekipi i tij është i përqendruar maksimalisht për ta fituar këtë trofe. “Presim me padurim ditën e diel. Po përkushtohemi maksimalisht për ndeshjen e sezonit, për ndeshjen e vitit, e cila ka një rëndësi shumë të madhe për ne”, tha Fushaj. Ai i ka premtuar skuadrës një premio me 50 milionë lekë në rast fitoreje, por sipas presidentit shkodran, më shumë se paratë është dëshira e futbollistëve për ta çuar Kupën në Shkodër. “Premio ka pozicionin e vet, por për aq sa i njoh lojtarët e Vllaznisë di të them që nuk është sensi i premios aq shumë. Lojtarët kanë një ego për ta fituar kupën. Shumë prej lojtarëve e kanë marrë para dy viteve dhe besoj se edhe këtë vit duhet ta fitojmë Kupën”, tha Fushaj. Finalja e Kupës së Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Besës do të luhet të dielën në orën 20.30 në stadiumin “Qemal Stafa”. Numri një i skuadrës shkodrane shtoi po ashtu se “Kupa e Shqipërisë, përveçse një trofe i rëndësishëm, është edhe rruga e vetme që Vllaznia të luajë në Europë në edicionin e ardhshëm. Do të bëjmë gjithçka për ta fituar, skuadra është mjaft e motivuar për të arritur një rezultat pozitiv në finale. Vllaznia dhe Besa janë përballur dy herë të tjera më parë në finalen e Kupës së Shqipërisë, në sezonet 1991-1972 dhe 1981-1982. U desh të kalonin gati 18 vjet, që të dyja skuadrat të diskutojnë midis tyre finalen e tretë historike. Vllaznia i fitoi të dy trofetë në dy përballjet e para, ndërsa në vitin 2010 është Besa ajo që shihet qartë si favorite: vendi i dytë për kavajasit, kundrejt të gjashtit të shkodranëve. Vllaznia, që është për herë të 13 në finale, ku në 12 të parat ka fituar 6 dhe ka humbur po 6, apo Besa që në 7 finalet e mëparshme ka humbur 6 dhe ka fituar vetëm 1.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA