Bizhdili: Kemi 70% shanse për Kupën

08/05/2010 13:50

Besa do të paraqitet në finalen e Kupës së Shqipërisë, e cila do të luhet të dielën në orën 20.30 në stadiumin “Qemal Stafa”, me vetëdijen se është favoritja absolute për të fituar.

Kjo jo vetëm prej ecurisë që kavajasit kanë pasur në kampionat në krahasim me Vllazninë, por edhe për forcën e kontingjentit të drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro. Verdhezinjtë janë një skuadër që në fillim të sezonit u ndërtuan me synimin për të luftuar për titullin kampion, megjithatë, ata do të kënaqeshin edhe me triumfin në trofeun e dytë për nga rëndësia në vend. Presidenti Nexhat Bizhdili është i bindur te forca e skuadrës së tij, pavarësisht dëmtimeve të Artion Poçit dhe Bledi Shkëmbit dhe mungesës së Sokol Cikalleshit të skualifikuar.

“E respektojmë kundërshtarin, Vllaznia është një klub me traditë, por Besa ka një skuadër më të mirë. Mendoj se shanset për ta fituar Kupën e Shqipërisë janë 70 për qind me 30 për qind për ekipin tonë. Ne paraqitemi në këtë ndeshje si favoritë”, deklaroi ai.

Duke parë atë që ka ndodhur në kampionat, është e paevitueshme të mos diskutohet edhe rreth frikës për një kompromis të mundshëm ndërmjet dy klubeve. Kjo, edhe për faktin se Besa e ka siguruar virtualisht vendin e dytë në Kategorinë Superiore dhe në edicionin e ardhshëm do të luajë në turet eliminatore të Europa League.

Ndërkohë, pasi është larguar nga zona e rënies nga kategoria, fitimi i Kupës është mënyra e vetme që Vllaznia të luajë në kupat e Europës. Edhe pse e pranon se pazaret në kampionatin elitar në vend nuk kanë munguar, ku aty është përfshirë edhe Besa, Bizhdili këmbëngul se finalja do të jetë e pastër. Njeriu, që me fitimin e Kupës së Shqipërisë në vitin 2007 i dha skuadrës trofeun e parë në histori shtoi: “Nuk ka kompromise dhe nuk do të tolerojmë, pasi trofeu është trofe dhe ne kërkojmë t’i dhurojmë Kavajës një tjetër kupë. Në kampionat kanë ndodhur ‘dhurata’, këtë nuk kemi pse ta fshehim, por tashmë jemi në një situatë të ndryshme, ku të dyja skuadrat kërkojnë me patjetër të fitojnë”.

Drejtuesit e klubit kanë menduar ta shndërrojnë finalen në një festë, ku natyrisht nuk kanë si të mungojnë tifozët. Numri i mbështetësve kavajas që do të udhëtojnë drejt Tiranës pritet të jetë mjaft i madh. Klubi i cilëson si “lojtarin e 12-të” dhe një armë më tepër në sfidën me Vllazninë. “Mbështetja për skuadrën në finalen e së dielës do të jetë e jashtëzakonshme. Kemi përgatitur gjithçka në detaje dhe për të bërë të mundur që në stadium të jenë një numër sa më i madh tifozësh: në dispozicion do të jenë 40 autobusë, të cilët do të nisen nga Kavaja në drejtim të kryeqytetit. Në stadiumin ‘Qemal Stafa’ do të jenë të pranishëm të paktën 4 mijë tifozë verdhezinj”, përfundoi Nexhat Bizhdili.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA