Të martën pasdite, në orën 15:00, në Bruksel nis takimi i Këshillit të Stabilizim-Asocimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Në takim, BE-ja do të përfaqësohet nga një drejtues i Ministrisë së Jashtme spanjolle, që kryeson Presidencën, një përfaqësues nga “Ministria e Jashtme” e BE-së që kryesohet nga baronesha Ashton dhe Komisioni Europian, që sipas të gjitha gjasave do të jetë njëri nga zv/krerët e komisionit.
Ndërkohë ende nuk është përcaktuar kush do ta përfaqësojë qeverinë shqiptare. Në këtë takim do të dalë qëndrimi i Brukselit në lidhje me opinionin që do të dorëzohet për dhënien apo jo të statusit të vendit kandidat të Shqipërisë.
Gjithashtu pritet që në fund të takimit të publikohet një deklaratë, e cila pritet të hartohet që të martën paradite, përpara se të nisë takimi. Në varësi të zgjidhjes së krizës politike pritet që të jetë edhe teksti i deklaratës.
Ky është takimi i dytë i Këshillit të Stabilizim-Asocimit, i pari është zhvilluar një vit më parë në Bruksel, ku Shqipëria u përfaqësua nga ish-ministri i Jashtëm, Lulzim Basha.
Thelbi i deklaratës së vjetshme ishte kërkesa që në vend të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme. Dhe një vit më pas, temë e takimit të dytë, siç duket, do të jenë sërish zgjedhjet.
Top Channel