Tirana pret Emirin e Katarit për kontratë gazi

07/05/2010 08:25

Ëndrra! Kjo ishte fjala më e përdorur dje në panelin e energjisë në forumin “Crans Montana” në Tiranë, që u zhvillua mbrëmë.

Një seancë e forumit u drejtua nga ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, dhe u përqendrua në diskutimet për situatën energjetike në rajonin e Ballkanit dhe projektet e shumta që i interesojnë Shqipërisë në këtë fushë.

Disa nga të pranishmit, ku përfshiheshin drejtues kompanish të njohura ndërkombëtare, ashtu si edhe drejtues kompanish të panjohura, folën edhe për “ëndrra që po fillojnë të bëhen realitet”. Ashtu si një vit më parë, në këtë forum u diskutuan projektet e pafund për gazsjellës, naftësjellës, termocentrale e hidrocentrale. Kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij të mbajtur paradite, njoftoi se po negocion me Katarin për të siguruar importe gazi të lëngëzuar për llogari të kompanisë “ASG Power”, për të cilën, ministri Prifti tha se “ka projektin më të mirë në këtë fushë në të gjithë rajonin”.

“Emiri i Katarit (Hamad bin Khalifa Al Thani) do të vizitojë Shqipërinë së shpejti”, tha Berisha. Vizita e kreut të një vendi, që siguron një pjesë të konsiderueshme të prodhimit botëror të gazit, është parashikuar të kryhet këtë maj. Fjalimi i Berishës vijoi me deklaratën se në vitet e fundit, qeveria ka nënshkruar projekte energjetike me vlerë të përgjithshme prej 5 miliardë eurosh. Megjithatë, as vetë Kryeministri nuk mundi të fshehë shifrat më konkrete. “Kemi firmosur kontrata për më shumë se 200 hidrocentrale, nga të cilët 37 kanë filluar të ndërtohen”, tha Berisha. “Shifra e saktë është se janë firmosur kontrata për 220 hidrocentrale. Numri i atyre që po ndërtohen nuk është i madh, por është gjithsesi shpresëdhënës”, shtoi Prifti në seancën e pasdites.

Qeveria shqiptare ka ofruar kushtet ideale për investimet në këtë fushë. Tokë falas, ujë falas, kontratë pesëmbëdhjetëvjeçare për blerjen e energjisë së prodhuar me çmim joshës, mundësi për të emetuar certifikata të gjelbra dhe një marrëveshje bashkëpunimi me Italinë që i bën certifikatat e gjelbra shqiptare të tregtueshme në Itali. Megjithatë, fakti është se në vetëm 37 hidrocentrale ose në 17 për qind të tyre, realisht po punohet sipas shifrave zyrtare. Situata është më problematike në projektet e tjera miliardere në energjinë e erës, ku në asnjë prej projekteve nuk ka filluar puna. Naskë Afezolli, përfaqësues i kompanisë zvicerane EGL, e cila është përgjegjëse për një pjesë të konsiderueshme të importeve të energjisë në Shqipëri, e sheh problemin në kuadrin e realizmit. “Janë shumë projekte për linja interkonjeksioni mes Shqipërisë dhe Italisë, por vetëm njëra është reale dhe ekzistuese”, tha ai, duke përmendur linjën Greqi-Itali. Energjia e erës që duhet të prodhohet në Shqipëri, që të ketë vlerë tregtare, duhet të dërgohet në Itali, por tani për tani askush nuk e di se si mund të bëhet me kosto të përballueshme. “Përqendrohuni më mirë në bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri”, këshilloi Afezolli, duke rikujtuar faktin se sistemet prodhuese të të dyja vendeve plotësojnë njëri-tjetrin dhe se integrimi energjetik mund të sjellë përfitime të mëdha teknike e financiare. “Problemi është se e ardhmja e projekteve energjetike për shfrytëzimin e qymyrit në Kosovë është ende e paqartë”, iu përgjigj Prifti. “Tani për tani ne kemi nevojë për 400 MW fuqi të instaluar në termocentrale për ta përdorur si kapacitet bazë. Më pas do të shohim për të tjerat”, shtoi ai.

Qeveria shqiptare ka një ëndërr tjetër: një megaprojekt të quajtur parku energjetik i Porto Romanos, ku sipas Priftit, janë programuar të ndërtohen termocentrale me fuqi 800 MW, një rafineri me kapacitet 5 milionë tonë, (pesë herë kapaciteti i rafinerisë së Ballshit), si dhe një zonë e lirë ekonomike.

Lajmet e reja nga projektet e tjera qenë pak a shumë si një vit më parë, në të njëjtin forum, me ndryshime të vogla. Projekti i gazsjellësit TransAdriatik, për të cilin Prifti thotë se “është projekti më i zhvilluar dhe që ka më shumë gjasa të fillojë punimet së shpejti”, sipas menaxherit të kompanisë “Kjetil Tungland”, është në varësi të ecurisë së zhvillimit të zonës naftëmbajtëse të Shah Denizit në Detin Kaspik.

Sipas tij, gjithçka do të sqarohet rreth vitit 2012, kur edhe do të merret vendimi për ta ndërtuar këtë gazsjellës apo jo. Projekti tjetër, “ASG Power”, ka shtuar si komponent të vetin transportimin e gazit të lëngshëm nga Semani për në Europë me kamionë apo me tren.

Top Channel