Kriza, Topi nis diskutimet

07/05/2010 15:10

Presidenti i Republikës Bamir Topi nisi një seri takimesh me faktorin politik shqiptar dhe ndërkombëtar në lidhje me krizën politike në vend. (UPDATE)

Të premten paradite Presidenti priti në zyrën e tij, larg syve të kamerave, zv/kryeministrin dhe ministër i jashtëm Ilir Meta. Më pas, Presidenti la presidencën për të shkuar në rezidencën private të ambasadorit amerikan Withers.

I vetmi takim i njoftuar zyrtarisht ishte ai me ambasadorin Montobio të Spanjës, si vend që mban presidencën e radhës të Bashkimit Europian dhe Lohan, përfaqësues i delegacionit të Komisionit Europian. Njoftimi zyrtar i presidencës konfirmon tre takimet e ditës së sotme. Shkurtimisht njoftimi thotë se palët në takim shkëmbyen mendime lidhur me aktualitetin politik, duke iu referuar kryesisht grevës së urisë të filluar nga deputetët socialistë dhe mbështetësit e kësaj force. Bashkëbiseduesit, vijon njoftimi, vunë theksin në rëndësinë e rifillimit sa më të shpejtë të dialogut politik institucional, të cilin e vlerësojnë si një hap të domosdoshëm dhe të rëndësishëm për kapërcimin e situatës së krijuar.

Njoftimi zyrtar i presidencës flet për zgjidhje në kërkim të ruajtjes së standardeve institucionale dhe të forcimit të vlerave demokratike në Shqipëri dhe ecurisë së suksesshme drejt integrimit të plotë të saj në Bashkimin Evropian. Gjatë drekës pritej edhe një takim i presidentit me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Por nga selia rozë konfirmojnë se zoti Rama është nisur jashtë Shqipërisë për një takim me faktorë ndërkombëtarë, por pa specifikuar se ku.

Fakti që zoti Rama pritet të jetë në Tiranë një ditë më pas, të bën të mendosh se ai ndodhet jo shumë larg Shqipërisë, diku në Europë. E tërë situata i ngjan një skene të përjetuar më parë, sepse në shkurt Presidenti bëri të mundur ndërmjetësimin e dy takimeve të drejtpërdrejta mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Partia Socialiste hyri në parlament për të bërë betimin, por marrëdhënia e kushtëzuar me parlamentin dhe kërkesa për hapjen e kutive vazhdojnë ende.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA