“Nënë Tereza” bën gati dhoma për grevistët

07/05/2010 08:35

Në Spitalin Infektiv është krijuar një ambient i veçantë, ku do të priten të gjitha rastet, me shtretër ekzaminues dhe më pas hospitalizues.

Të gjithë personat të cilët do të transportohen nga çadrat e grevës së urisë, drejt QSUT-së do të priten në këtë ambient për të marrë ndihmën e parë.

Sipas urdhrit, departamenti i Laboratorit dhe Imazherisë duhet të marrin masat për t’iu përgjigjur çdo kërkese, për ekzaminime gjatë 24 orëve.

Shërbimet e sëmundjeve të brendshme, shërbimet e kirurgjisë, shërbimi i mjekësisë interne dhe Shërbimi i Infektivit duhet të rezervojnë shtretër për çdo pavijon, në funksion të grevës.

“Shefat e shërbimeve të sigurojnë urgjentisht prezencën e personelit shtesë, përfshirë mjekë, kryeinfermierë, infermierë. Qendra e koordinimit të urgjencave të marrë masat, për vënien në gatishmëri të autoambulancave”, thuhet në urdhër.

Sipas udhëzimit të brendshëm të gjitha njësitë e farmacive duhet të qëndrojnë hapur dhe gati për furnizime emergjente.

Sakaq, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar dje se vazhdon t’i ndjekë zhvillimet e grevës së organizuar nga Partia Socialiste.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA