Në përfundim të emisionit Top Story analistët dhe politikanët e ftuar në studio shprehen opinionet dhe parashikimet e tyre se si mund të zgjidhet kriza me kalimin e kohës.
Aleati i socialistëve Spartak Ngjela foli për arritjen e objektivit të kësaj proteste, që është transparenca e plotë e zgjedhje nëpërmjet hapjes së kutive.
“Do fitojmë betejën nëse rezistenca nuk lëkundet. Loja është transparenca e zgjedhjeve që krijon një fakt historik që përmban një fakt juridik. Këto dy fakte, mjaft të rëndësishme mbahen të mbyllura tek kutitë”, u shpreh Ngjela.
Ndërkaq analisti Henri Çili vlerësoi se sipas tij opozita në protestën e saj mbetet e ngurtë duke u fokusuar vetëm tek një kërkesë, pavarësisht se, siç tha ai, nga ana e qeverisë janë propozuar disa zgjidhje për krizën.
“Protesta do prodhojë energji shtesë politike, por jashtë kërkesave maksimaliste 100 %. Defekti i protestës së opozitës është qëndrimi strik ndaj një kërkese të vetme. Sapo të dalim nga kërkesa ultimative, zgjidhja është. Qeveria ka ofruar alternative ndërsa opozita ka vetëm një kërkesë”, tha Çili.
Analisti tjetër i ftuar në studio, Frrok Çupi tha se kriza politike po dëmton imazhin e vendit si dhe po ndikon në produktivitetin në punën e qeverisë.
“Gjithë situata ka shkaktuar mjaft dëm në imazh, në shtetformimin e kombit tonë, në produktin e qeverisjes. Kutitë janë krijuar artificialisht si tabu. Hyrja e opozitës në sistem do të sjellë një zgjidhje që do marrë me vete disa pasoja dhe një parapërgatitje të PS-së për të shkuar në zgjedhjet e tjera me disa mallkime ndërsa PD me defekte”, tha Çupi.
Për deputetin socialist Fatmir Toçi protestat dhe kërkesat e PS-së po gjejnë një mbështetje gjithmonë e më shumë dhe se në rrugën e nisur nuk ka kthim prapa.
“Kërkesa e PS po rrit sensibilitetin. Jemi të bindur nuk ka kthim prapa. Më shqetëson qendrimi i kësaj mazhorance e për më tepër kryetari i kësaj mazhorance. Shikojmë një ndikim dhe presion nga njerëzit dhe grupet e interesit që mbajnë këtë kryeministër në këmbë”, tha deputeti Toçi.
Top Channel