Tokë në bregdet me 1000 lekë metri katror

06/05/2010 09:35

Pronarët e fshatrave turistikë në bregdetin shqiptar, veçanërisht në Gjirin e Lalëzit dhe atë të Durrësit, do të mund ta blejnë tokën që deri tani e kishin me qira apo me koncesion afatgjatë përkundrejt çmimeve referencë të përcaktuar në tre vendime qeverie, ku nuk është marrë parasysh vlera e tyre si tokë në zonën turistike, por është llogaritur si tokë bujqësore.

Këshilli i Ministrave miratoi dje udhëzimin përkatës të mënyrës së llogaritjes së vlerës së tokave.

“Çmimi i truallit të njësisë së ndërtuar brenda zonës së stimuluar përcaktohet në bazë të hartës së vlerës së tokës”, thuhet në udhëzimin e qeverisë, duke iu referuar tre vendimeve që kanë përcaktuar një çmim për të gjitha tokat në të gjitha rrethet e vendit.

Kjo do të thotë se çmimi i blerjes është përcaktuar në VKM 139 të 13 shkurtit 2008.

Në këtë vendim përcaktohen çmimet minimale të shitjeve të tokave në rrethet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër, çmime ku bazohet administrata fiskale për të përcaktuar taksat për kalimin e pronësisë.
 
Çmimi

Të gjithë e dinë se në bregdetin e Durrësit toka mund të shitet për minimalisht 30 euro metri katror, ndërsa në vijën e parë toka shitet për deri 250 euro metri katror. Por qeveria mendon se çmimet e përcaktuara nga tregu janë të larta. Për këtë arsye, përdor një hartë të vetën.

Sipas hartës, çmimet e tokës truall në Komunën Katund i Ri, ku përfshihen edhe fshatrat buzë detit në Gjirin e Lalëzit, variojnë nga 1160 në 1476 lekë për metër katror.

Në këtë zonë, qeveria ka dhënë disa dhjetëra hektarë tokë me koncesion në vitet 2000-20002. Në Hamallaj dhe Rushkull, ku ka gjithashtu koncesione, çmimi i tokës truall është vetëm 800 lekë metri katror.

Qershia mbi tortë, zona e Komunës Golem në Rrethin e Kavajës, ku gjendet edhe shumica e fshatrave turistikë që do t’u shitet toka sipas vendimit të djeshëm, mbart çmime të tilla: një metër katror tokë kushton 1257 lekë, ose më pak se 9 euro; ndërsa toka bujqësore kushton nga 340 deri në 431 lekë metri.

Pasi të fitojnë titullin e pronësisë, pronarët e fshatrave turistikë do të fitojnë gjithashtu të drejtën të ndërtojnë pallate në ato vende ku nuk janë ndërtuar ende, ndërsa krijohen edhe kushtet ligjore për të legalizuar ndërtimet pa leje që janë bërë jashtë projektit fillestar të fshatit turistik.

Top Channel