Rama: Qeveria, hartë të re për oreksin e saj

06/05/2010 19:55

Kryetari i PS Edi Rama, në manifestimin e sotëm në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka deklaruar se qëllimi i protestës së opozitës është garantimi i lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve.

“Mirënjohje për grevistët që po e cojnë përpara sakrificën e tyre. Shpirti i opozitës po provon me rezistencë të vërtetën e saj si alternativa e njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit”, ka pohuar Rama.

Kreu i PS është shprehur se opozita e sotme nuk është njësoj me qeverinë e votave të vjedhura, e cila sipas tij ka shkelur Kushtetutën dhe ka hartuar ligjet sipas interesave të saj.

“Ne që kërkojmë liri dhe të drejta për gjithë shqiptarët nuk jemi njësoj me ata që kthejnë gënjeshtrën në të vërtetë. Ne që e duam Shqipërinë si gjithë Europa nuk jemi njësoj me ata që e përdorin Evropën për qëllimet e tyre. Kushtetuta është asgjesuar dhe ligjin në Shqipëri e bëjnë interesat e oborrit të mbretërisë së pashpallur”, është shprehur Rama.

Më tej lideri i opozitës e ka vënë theksin tek një ligj i miratuar nga qeveria, i cili sipas tij e shet tokën në bregdet me 1 mijë lekë metri katror. Rama ka theksuar se miratimi i këtij udhëzimi është dëshmi e korrupsionit të thellë qeveritar.

“Në vitin 2010 u tha se paratë e marra nga pronarët e fshatrave turistikë do të shkonin për të paguar rrogat e ALUIZN-it dhe c’të mbetej tek pronarët e vjetër. Ndërkohë që dje, kur ne jemi në një betejë për Shqipërinë e të gjithëve, qeveria miraton një udhëzim për të llogaritur vlerën e tokave dhe toka në bregdet mbetet 1 mijë lekë metri katror. Të gjithë e dinë që në bregdetin e Durrësit toka mund të shitet nga 30 euro metri katrorë deri në 250 euro. Por qeveria ka nxjerrë një hartë të vetën, sipas të cilës cmimet e tokës truall variojnë sepse variojnë edhe orekset brenda asaj harte”, ka shtuar Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA