
Spanja dhe Brazili janë favoritët kryesorë për Botërorin 2010, ndërsa Portugalia nuk bind. Ky është opinioni i yllit shqiptar të Sandërlendit, Lorik Cana, për edicionin e gazetës angleze “Journal Live”.
Ai do të luajë dhe ndeshjen e fundit sezonale me Sandërlendin dhe më pas do t’i bashkohet familjes për pushimet verore. Ashtu si pjesa më e madhe e të pasionuarve të futbollit nëpër botë, Cana do ta kalojë verën duke ndjekur nga TV Botërorin 2010.
“Kur luhej në Gjermani, ndeshjet i kam parë në stadium, por Afrika e Jugut është shumë larg për të udhëtuar deri atje, pohon Cana. Do të kisha shumë dëshirë të luajë edhe unë atje, do të jetë e vështirë, por nuk i dihet. Kam shumë shokë në Kombëtare të ndryshme, të cilët luajnë në këtë kompeticion dhe u uroj atyre më të mirën”. Shqipëria nuk është kualifikuar kurrë në një Botëror, por mesfushori kuqezi nuk nguron të japë të preferuarit e tij për Afrikën e Jugut 2010.
“Vështirë të ketë një skuadër tjetër më e mirë se Spanja. Kanë një kontingjent fantastik dhe kanë fituar Euro 2008. Megjithatë ndonjëherë është e vështirë të realizosh suksese të njëpasnjëshme, pasi presioni dhe pritshmëria për ta është e madhe. Kur nisesh si favorit në një aktivitet, nuk do të thotë se detyrimisht do ta kesh të lehtë për të fituar, pasi të gjithë i kanë drejtuar sytë nga Spanja. Si gjithmonë Brazili do të jetë pretendent i denjë. Anglia mendoj se do të shkojë në gjysmëfinale. Më pas nuk i dihet, sepse aty vendosin detajet. Askush nuk flet për Francën, por mendoj se mund të jenë një surprizë”. Portugalia dhe Danimarka ishin në grupin eliminator të Shqipërisë, por Cana nuk i jep si favoritë për Botërorin 2010. “Kemi luajtur dy herë kundër tyre dhe pavarësisht faktit se kanë shumë yje në skuadër, nuk mendoj se kanë kualitetin e duhur për të triumfuar në Afrikën e Jugut. Shqipëria arriti të barazonte në ndeshjen e parë në Portugali, ndërsa në kthim, ata fituan me një gol në minutat shtesë. Për mendimin tim, nëse vuan të mundësh në ekip si Shqipëria në dy ndeshje, atëherë nuk je mjaftueshëm i mirë sa për të fituar Botërorin”, përfundon mesfushori kuqezi.
Top Channel