Kryeministria, 800 mijë USD për “sekserët”

06/05/2010 09:40

Buxhetit të Kryeministrisë i është shtuar një fond prej 80 milionë lekësh të reja (rreth 800 mijë dollarë) në zërin “shpenzime korrente”.

Vendimi është marrë pak ditë më parë nga Këshilli i Ministrave, por dje u bë publik me botimin në Fletoren Zyrtare.

Shuma prej 80 milionë lekësh do t’i shërbejë shtabit të Kryeministrit për të lobuar në botë rreth imazhit pozitiv të vendit, si dhe për gjetjen e investitorëve të huaj.

Burime zyrtare nga Ministria e Financave sqarojnë se fondi në fjalë do t’u jepet një pjesë të kompanive të huaja të specializuara në fushën e lobingut, ku bëjnë pjesë ish-politikanë karriere etj.

Vendimi për shtimin e fondit është marrë nga Këshilli i Ministrave më 26 prill, me propozim të ministrit Genc Pollo, që mbulon inovacionin dhe teknologjinë e informacionit e të komunikimit.  

Në pikën 1 të vendimit thuhet se, “fondi 80 milionë lekë do të shërbejë për përballimin e shpenzimeve për shërbimet e kërkimit në fushën ligjore dhe lobizmit, të cilat do të shërbejnë për thithjen e fondeve nga programet e ndihmës së huaj, përfshi dhe kompaktin nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit”.

Gjithashtu, shuma në fjalë do të shërbejë për thithjen e investimeve të huaja direkte, nga SHBA-ja dhe vendet e ndryshme të botës, si dhe kërkime nga ekonomia. Fondi prej 80 milionë lekësh u sigurua nga buxheti rezervë që mban qeveria, i cili përdoret për raste emergjente (apo katastrofash).

Totali i buxhetit të Kryeministrisë për vitin 2010 është 404 milionë lekë, ku 50 milionë lekë janë parashikuar për investime kapitale. Për vitin që lamë pas, Kryeministria kishte një buxhet më të madh, rreth 440 milionë lekë, ndërsa mundi të realizonte vetëm 82 për qind të fondit, kurse investimet ishin në nivelin më të ulët, prej rreth 25 për qind.

Brenda shpenzimeve korrente, shpenzimet për paga personeli u realizuan në rreth 70.4 për qind, rrjedhojë e mosplotësimit të organikës me numrin e miratuar të punonjësve, si dhe i mospërdorimit të fondit të veçantë.

Gjatë vitit 2009, nga 128 punonjës të miratuar, Këshilli i Ministrave ka pasur në organikë mesatarisht 114 punonjës.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta