Kamera e TCH hyn në ambjentet e grevës

06/05/2010 21:55

Kamera e Top Channel ka mundur të hyjë në ambjentet e thella të grevës së deputetëve të Partisë Socialiste, të vendosur përpara selisë së kryeministrisë.

Eksponentë të ndryshëm të partisë më të madhe të opozitës shprehen se kanë filluar të ndjejnë efektet e para të grevës, por theksojnë se janë të gatshëm ta cojnë nismën e tyre deri në fund.

“Jemi të dobët, por kauza jonë është e rëndësishme dhe mbahemi”, ka deklaruar deputeti Blendi Klosi.

Ndërsa deputeti tjetër Ilir Beqja ka theksuar se PS do vijojë nismën e saj kundër “maskaradës së qeverisë”. “Po luftojmë gjithë këtë maskaradë. Kemi kauzën tonë, por kemi pasur probleme me tensionin dhe pulsin”, ka pohuar Beqja, duke shtuar se është qeveria ajo që duhet të reagojë e para.

“Pas 9 muajsh vazhdojmë të jemi në qendrime të kundërta. Përgjigjia për kompromis ka qenë shumë e ftohtë. Kryeministri të tregojë ato ligje të gjykatës”, është shprehur Beqja.

Ndërsa lideri i grupimit G99, Erjon Veliaj deklaron se nisma e PS po gjen gjithmonë e më shumë mbështetje në radhët e qytetarëve.

“Sot kemi një pjesë të emancipuar që nuk dëshiron të përcahet. Ne kemi biseduar edhe me policët që ruajnë kryeministrinë dhe kemi të njëjtat halle. Vjen një moment kur e kupton se kemi një kauzë të përbashkët”, ka deklaruar Veliaj.

Por në grevë, përvec deputetëve janë edhe deputete femra, mes të cilave Shegushe Ligori. Ajo thotë se PS po lufton për një kauzë të drejtë për të cilën shqiptarët luftojnë prej 20 vjetësh.

“Jam një nënë me dy djem, kam tre burra në shtëpi. Por ne jemi deputete femra dhe detyra jonë është këtu, bashkë me deputetët meshkuj. Ne këtu jemi për atë që shqiptarët kanë luftuar për 20 vjet”, ka pohuar Ligori.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA