Ferguson nxehet me Gerrard: I dhuroi golin Chelsea-t

03/05/2010 13:00

Mesa duket, sindromat e fazës së tretë të Superligës ku skuadrat kanë toleruar gjatë gjithë kësaj faze me kundërshtarët, janë shfaqur edhe në elitën e futbollit europian.

Përvec ndeshjes së superkritikuar Lazio-Inter edhe në Premier League ka pasur polemika për takimin Liverpool-Chelsea ku miqtë triumfuan duke hedhur një hap të madh drejt titullit kampion. Sir Alex Ferguson ka shfryrë ndaj kapitenit të “The Reds”, Steven Gerrard për “dhuratën” që i bëri bluve të Londrës në rastin e golit të parë të Didier Drogba. “Kam parë gabimin e Gerrard dhe ka qënë një dhuratë e madhe. Por nuk mund të bëjmë asgjë, thjesht duhet të ecim përpara”, tha Ferguson për “The Sun”.

Manchester United do kurorëzohej kampion vetëm në rast se fiton kundër Stoke dhe shpreson që Chelsea të hedhë një hap të gabuar në ndeshjen kundër Wigan. “Askush nuk e di se cfarë do të ndodhë sepse futbolli është i cmendur. Ne duhet të fitojmë ndeshjen tonë. Për Wigan-in nuk dua të them asgjë sepse janë një skuadër e madhe dhe e dinë vetë cfarë duhet të bëjnë”, thekson Ferguson.

Top Channel