U mendua si diçka pozitive për biznesin, duke i dhënë fund mungesës së transparencës në hartimin e projektligjeve, por në fakt, plani i Financave për krijimin e Këshillit Tatimor rrezikon të krijojë shteg për “luftë” të fortë mes shoqatave.
Vendet vakante në këshill janë 18, ku 12 i takojnë shoqatave të biznesit, të cilat duhet të aplikojnë dhe të garojnë me njëra-tjetrën për të pasur anëtarin e tyre. Ministria e Financave i druhet faktit të “konflikteve”, pasi shoqatat e biznesit, duke e konsideruar Këshillin Tatimor si mundësi të mirë për të mbyllur “hesapet” dhe nisur nga numri tepër i madh i tyre (janë mbi 30 shoqata për 12 vende të lira), ka paraqitur disa kritere që shmangin disi përplasjet.
Sipas vendimit të qeverisë, Këshilli Tatimor do të shërbejë si organ me 18 anëtarë, 6 nga qeveria dhe 12 nga biznesi, i cili do të shqyrtojë projektligjet që prekin sektorin e privatit, duke u dhënë mundësi të njihen që në fillim me përmbajtjet, pa u miratuar më parë nga Këshilli i Ministrave. Të 12 anëtarët e këshillit që vijnë nga fusha e tatimpaguesve duhet të përfaqësojnë pjesën dërrmuese të biznesit, të shpërndarë në mënyrë të drejtë gjeografikisht.
Gazeta “Shqip” ka mundur të sigurojë një kopje të draftit të ri të Ministrisë së Financave, pas atij të miratuar nga qeveria, sipas të cilit përcaktohet formula e krijimit, funksionimit dhe zgjedhjes së Këshillit Tatimor. Aktualisht, qeveria ia ka deleguar Ministrisë së Ekonomisë funksionimin e Këshillit Konsultativ të Biznesit, i cili prej katër vitesh ka zhvilluar mbledhje me grupet e interesit për projektligje me karakter fiskal. Të dhënat nga ministria tregojnë se ky këshill konsiderohet i dështuar, pasi nuk mblidhet rregullisht dhe se mungojnë projektligjet e rëndësishme. Për këtë arsye, qeveria mendoi të krijonte një të ri, duke e vendosur me zyra në Drejtorinë e Tatimeve.
I gjithë diskutimi për Këshillin Tatimor lidhet me përbërjen e 12 anëtarëve që vijnë nga biznesi, pasi 6 anëtarët nga qeveria i kanë të qarta pozicionet. Në pikën 1 të projektvendimit, thuhet se, përbërja e tatimpaguesve në Këshillin Tatimor duhet të jenë nga dhomat e tregtisë dhe industrisë, të shoqatave të tjera të biznesit, të shoqatave profesionale të ekspertëve kontabël, të shoqatave të tjera të organizuara mbi bazë profesioni të rregulluara me ligj të veçantë, si dhe të organizatave të tjera jofitimprurëse që përfaqësojnë grupe të mëdha tatimpaguesish. Me hyrjen në fuqi të vendimit, kryetari i këshillit, që është zëvendësministri i Financave, boton listën e aplikimit për shoqatat si dhe kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve. Në një nga pikat thuhet se çdo anëtar i këshillit, që përfaqëson biznesin, duhet të paguajë një kuotë vjetore, e cila nuk është vendosur ende sesa do të jetë.
Përfaqësimi i tatimpaguesve në Këshillin Tatimor duhet të marrë në konsideratë kriterin e përfaqësimit gjeografik të tatimpaguesve, të kategorive të ndryshme të tatimpaguesve, si dhe të sektorëve të ekonomisë ku ata zhvillojnë aktivitetin. Përfaqësuesit e tatimpaguesve në Këshillin Tatimor duhet të plotësojnë kriteret si: Të kenë përvojë profesionale prej jo më pak se tre vjetësh në çështje të administrimit të biznesit në Shqipëri; Të jenë anëtarë të një shoqate ose organizate të llojeve të përcaktuara në kreun I, pikën 1.b. të këtij vendimi; dhe të jenë të autorizuar me shkrim nga titullari i organizatës apo shoqatës për të përfaqësuar një shoqatë ose organizatë. Organizata anëtare në Këshillin Tatimor, përfaqësuesi i së cilës nuk merr pjesë në tre mbledhje radhazi të këshillit, e humbet të drejtën e anëtarësisë në këtë këshill për dy vjet nga momenti i humbjes së kësaj të drejte. Anëtarët përfaqësues të tatimpaguesve në Këshillin Tatimor kanë një mandat dyvjeçar. Organizatat anëtare, mandati i të cilave ka përfunduar, kanë të drejtë të marrin pjesë dhe të përzgjidhen përmes procesit për të zëvendësuar anëtarët e këshillit, të cilëve u ka mbaruar mandati. Këshilli Tatimor mblidhet të paktën çdo tre muaj dhe jo më pak se katër herë në vit.
Top Channel