Berisha pret Ali Ahmetin

02/05/2010 17:40

Kryeministri Sali Berisha priti në një takim, kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pjesë  e koalicionit qeveritar maqedonas.

Takimi në Tiranë mes dy politikanëve shqiptarë ndodh pak ditë pasi misionet kryesore diplomatike në Maqedoni vlerësuan nëpërmjet një letre se situata atje ka marrë tone shqetësuese për shkak të deklaratave të disa lidërve politikë për ndarje, konflikt dhe braktisje të Marrëveshjes së Ohrit.

Në deklaratën e kryeministrit Berisha këto shqetësime ishin të dukshme, kur ai inkurajoi faktorin shqiptar në Maqedoni për zbatimin pa ndërprerje të Marrëveshjes së Ohrit.

“Qëndrimi i Shqipërisë, qeverisë shqiptare, autoriteteve shqiptare është dhe mbetet i pandryshuar, paqja,  stabiliteti i Maqedonisë, integriteti i saj janë jetikë  për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Sikundër konsiderojmë jashtëzakonisht të rëndësishëm zbatimin e plotë dhe konsolidimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe kur them këtë, duhet të shpreh vlerësimin tim të palëkundur me të gjithë progresin thelbësor që është arritur në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Unë kam bindje se zbatimi i saj do të eci e pandërprerë, sikundër ka ecur deri sot, në interesin më të mirë të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe në interesin më të mirë të mbarë shoqërisë maqedonase e të Maqedonisë në tërësi”, tha kryeministri Berisha.

Nga ana e tij, Ali Ahmeti, i cili ka probleme me kryeministrin Gruevski për shkak të mosmarrëveshjeve për ndryshimin e kushtetutës, ishte shumë i përgjithshëm në komente, duke drejtuar vëmendjen më shumë tek domosdoshmëria e anëtarësimit sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO.

“Ne kemi konsideruar dhe konsiderojmë se Shqipëria është një lobiste e vërtetë që Maqedonia sa më më parë të jetë anëtare e NATO-s, të mos jetë akoma më larg e shkëputur nga Karta e Adriatikut, sepse nga Karta e Adriatikut, Shqipëria dhe Kroacia janë në NATO dhe të gjitha angazhimet ne i bëjmë në këtë drejtim, që sa më parë Maqedonia të zërë vendin e merituar, sepse duke qënë në NATO kemi më shumë siguri, më shumë stabilitet, jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për rajonin si tërësi”, tha kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Por, kur çështja e emrit të Maqedonisë mbetet ende e pazgjidhur, misionet më të rëndësishme diplomatike në Maqedoni thonë se vetëm “integrimi euro-atlantik, si dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit mbetet rruga më e mirë drejt përparimit të Maqedonisë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA