Kuzhe thërret edhe Januzin

29/04/2010 12:45

Tani duket se ka ardhur momenti i duhur, që Ahmet Januzi të bëjë kapërcimin nga ekipi Shpresa drejt Kombëtares kuqezi.

I këtij mendimi është trajneri Josip Kuzhe, i cili e ka zyrtarizuar këtë me një ftesë për futbollistin kosovar të ukrainasve të Vorskla Poltavës për dy ndeshjet miqësore të 25 majit ndaj Malit të Zi në Podgoricë dhe të 2 qershorit ndaj Andorrës në Tiranë. Gjithçka është konfirmuar edhe nga vetë Januzi, i cili e ka pohuar dje për të përditshmen kosovare “Express”.

“Ftesa e Kuzhesë për t’iu bashkuar Shqipërisë për miqësoret me Malin e Zi dhe Andorrën më ka ardhur në klubin e Vorsklas. Po ashtu, rikonfirmimin e ka bërë edhe menaxheri i ekipit kombëtar, Denis Bastari, i cili më ka telefonuar për të më thënë se duhet të paraqitem në grumbullim”, rrëfen sulmuesi, i cili te Vorskla luan përkrah dy kosovarëve të tjerë kuqezinj, mbrojtësve Armend Dallku dhe Debatik Currit. Januzi është pajisur me pasaportë shqiptare në shkurt të vitit 2009. Ndërsa deri tani ka milituar në ekipin Shpresa, ku ka debutuar në miqësoren kundër Maqedonisë. Aktualisht numëron 10 prezenca në U-21. Por kjo ftesë nuk ka qenë një rrufe në qiell të hapur për të. Paraqitjet e tij të mira në radhët e ekipit U-21, por edhe ato në elitën e futbollit ukrainas në këtë sezon, ku ka fituar statusin e lojtarit titullar te Vorskla, kanë bindur teknikun kroat ta grumbullojë. “E prisja një ftesë, pasi Kuzhe më kishte vëzhguar kur luaja me Shpresat dhe trajneri Artan Bushati më kishte paralajmëruar se shumë shpejt do të thirresha në Kombëtaren A”, sqaron kosovari. Ky është një shans i madh për Januzin, i cili nuk ka ndërmend ta humbasë, ndaj premton impenjim të pakursyer, të japë maksimumin për të shpërblyer besimin e trajnerit kroat. Shpreson që ndihmesa e tij të ndikojë në arritjen e rezultateve të mira në eliminatoret e Euro 2012: “Do mundohem të jap maksimumin në çdo ndeshje dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë”, thekson 22-vjeçari, i cili në të kaluarën ka veshur bluzën e përfaqësueses së Kosovës. Me afrimin e Januzit, numri i kosovarëve në Kombëtare do të arrijë shifrën 7, pasi aktualisht fanellën e ekipit kuqezi e bartin edhe portierët Arian Beqaj e Samir Ujkani, mbrojtësit Armend Dallku e Debatik Curri, mesfushori Lorik Cana dhe sulmuesi Besart Berisha. Por ky numër mund të rritet në të ardhmen, pasi tekniku kroat po mban nën vëzhgim edhe dy talente kosovarë si Valdet Ramën (Hanover 96) dhe Andis Shalën (Dundi Junajtid). Përveç Jonuzit, në listën që Kuzhe pritet të shpallë së shpejti do të jenë edhe emra të tjerë të rinj si: Edgar Çani (Piaçenca), Bekim Bala (Vllaznia) dhe Emilian Veliaj (Laçi).

Top Channel