Duke theksuar edhe njëherë gjendjen e jashtëzakonshme në të cilën ndodhet vendi kryeministri grek Papandreu u ka bërë thirrje partnerëve europianë të bëjnë çështë e mundur që të shmangin përhapjen e zjarrit që ka ndezur kriza greke në të gjithë Europën.
Spekulimeve dhe zerave në të gjithë botën se kjo krizë po përhapet si virusi Ebola duket se do u mbyllë shtegun një deklarate e drejtorit EKZEKUTIV të FMN Dominik Stros Kan pas takimit me guvernatorin e BQE-së Zhan Klod Trishe dhe udheheqjen gjermane.
Sipas kësaj deklarate, BE-ja dhe FMN-ja do t’i japin Greqisë një paketë ndihme prej 100 -120 miliardë euro brenda një periudhe trevjecare, pas një marrëveshjeje që pritet të nënshkruhet nga të gjitha palët këtë fundjavë.
Me skenaret e shtypit boteror që marrin e japin përsa i përket falimentimit të Greqise, si dhe të vlerësimeve negative të agjensive të huaja financiare, tek të gjithë mbizotëron shqetesimi, pesimizmi dhe frika për të ardhmen.
“E ardhmja me duket tragjike. Nuk e shoh aspak në rregull situatën dhe me sa duket rrugëdalje e vetme do jetë emigrimi”, shprehet Meri Venidhou.
Vlerësohet se mbi 12 mijë grekë që sapo kanë mbaruar studimet universitare janë larguar gjatë 15 muajve të fundit për në shtetet e tjera të Europës, për arsye se tregu grek i punës nuk ka asnjë perspektivë.
Sot përsëri kostoja e huasë ka kapur shifra të reja rekord, ndërsa bursa e Athinës ka zhvilluar këmbimet financiare në një atmosferë të tensionuar.
“Nuk pres gjë tjetër përveç falimentimit. Më duket i pashmangshëm. Meqënëse kam kontakte me sektorin e financave vlerësoj për fat të keq se nuk presim asgjë tjetër përveç falimentimit”, shprehet Efi Dhimitrakaki.
Gjendja në Greqi pasqyrohet edhe në shtypin e përditshëm. “Çdo ditë e më keq”, shkruan gazeta opozitare “Apogjevmatini”. Ndërsa gazeta “Ta Nea” ka si titull: “Kercenimi i fenomenit domino, zgjon gjithë Europën”.
Top Channel