Paralajmërimin dramatik të ministrit të Financave se Greqia ka para deri në datën 19 maj, e ka ndjekur sot një ulje e paparë e treguesit të përgjithshëm të Bursës së Athinës që ka shënuar humbje prej gati 7 pikësh, ndërsa aksionet e bankave më të mëdha greke janë ato që janë prekur më shumë.

Gjithashtu në shifra të papara ka shkuar edhe kostoja për bonot dhjetëvjeçare të huasë, e thënë ndryshe nëse Greqia do të kërkonte kredi në tregjet botërore në këtë moment, do t’i jepej vetëm me norma interesi mbi gati 12%.

“Nëse tregjet e ndjejnë se ka një Bashkim Evropian dhe një grup të Eurozonës që nuk mund të kujdesen për një nga anëtarët e tyre, padyshim që mund të ketë disa efekte domino që do të transferohen dhe do të ndikojnë edhe në vendet e tjera”, është shprehur Mihalis Masurakis, shef finance i “Alpha Bank”.

Shkak për këtë rritje, sipas specialistëve, duket se kanë qenë deklaratat e kancelares gjermane Angela Merkel që ka theksuar se do të hapë dritën jeshile për dhënien e ndihmës vetëm pasi të shohë që Greqia do të hartojë dhe zbatojë një program shumëvjeçar me masa të rrepta.

“Si qytetare greke nuk kemi bërë diçka, është çështje e qeverive, por përderisa bëjmë pjesë në BE, është e llogjikshme që duhet të na ndihmojnë. Nëse ke një problem në familje duhet të ndihmosh, a nuk është kështu?”, thotë Emilia Kapetanaki, shitëse bizhuterish.

Greqia do të duhet të huazojë më shumë se 150 miliardë euro për tre vjet dhe 45 miliardët që do marrë tani nuk janë të mjaftueshëm, komentojnë burime nga Goldman Sachs. Ndërsa mundësi falimentimi në masën 43% i jep Greqise, instituti ndërkombëtar “Ema data vision”, që ndjek zhvillimet në tregun e bonove.

Ndërkohë brenda një jave pritet të shpallet programi trevjeçar i marrëveshjes midis Athinës, BE-së dhe FMN-së. Kryeministri grek Papadreu ka deklaruar sot para grupit të tij parlamentar se do të bëjë ç’është e mundur, por jo mrekulli për të mbrojtur shtresat e varfra të popullsisë.

Në të njëtën kohë guvernatori i Bankës së Greqisë Jorgos Provopoulos, ka bërë thirrje që vendi të ulë brenda 2010-ës, në masën 5% nga 4% që është zotuar, defiçitin buxhetor, në mënyrë që t’u tregojë tregjeve financiare seriozitetin e masave antikrizë.

Ndërsa sindikatat greke vazhdojnë të reagojnë duke shpallur greva dhe lëvizje të reja sindikaliste në ditët e ardhshme ndaj masave akoma më të rrepta që pritet të ndërmarrë qeveria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA