Iniciativa për Stabilitetin Europian publikoi studimin e radhës krahasues mbi kriteret e përmbushura nga Shqipëria dhe Bosnja për liberalizimin e vizave.
Bazuar në raportet e Komisionit Europian, edhe ESI vlerëson se performanca e Bosnjes është më e lartë se ajo e Shqipërisë.
Kështu, Bosnja merr notën maksimale në 3 nga 4 blloqet e udhërrëfyesit, ndërsa Shqiperia, megjithëse nuk qëndron fort larg, vlerësohet me notë maksimale vetëm në bllokun e parë që flet për sigurinë e dokumentave.
Në tentative për t’i paraqitur sa më pozitivisht, ESI vlerëson dy vendet e prapambetura në prill 2010 më lartë se Serbia dhe Mali i Zi në maj 2009, kohe kur këtyre dy vendeve iu ofrua rekomandim pozitiv nga komisioni, me kusht përmbushjen e kritereve të paplotësuara.
Por, edhe pas 11 muaj kohë shtesë, sipas grafikës krahasuese të ESI-t, performanca e Shqipërisë dhe e Bosnjes qëndron më poshtë se ajo e Maqedonisë një vit më parë.
Iniciativa per Stabilitetin Europian konfirmon se propozimi i Komisionit do të kushtëzojë heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen me plotesimin e disa kushteve të mbetura specifike.
Meqenëse Bosnja merr notat maksimale në shumicën e blloqeve të udhërrëfyesit, ESI sugjeron që këtij vendi të mos i vihen kushte për liberalizimin e vizave, gjë që do ta diferenconte dukshëm nga Shqipëria.
“Gjithësesi, nëse Komisioni dhe vendet e BE-së vendosin të mos ofrojnë regjim të pakushtëzuar vizash për Bosnjen, të gjitha palët e përfshira në proces duhet të punojnë me shpejtësi maksimale, për të mundësuar rrëzimin e murit të vizave në kohën më të shkurtër të mundshme. Shqipëria dhe Bosnja mund të plotesojnë kushtet e mbetura në një kohë të shkurtër nëse përqendrojnë vëmendjen tek këto”, thuhet në raport.
Në studim ESI shpjegon dhe kalendarin e vendimmarrjes. Pas rekomandimit të Komisionit, Parlamenti Europian pritet të përgatisë vendimin përpara pushimeve të verës, por votimi në seancë plenare mund të realizohet vetëm me rifillimin e punimeve në shtator.
Fjala e fundit i mbetet ministrave të Brendshëm të BE-së, të cilët mblidhen në javët e para të muajve tetor, nëntor e dhjetor.
Shpejtësia e përmbushjes së kushteve të mbetura nga dy vendet e rajonit, por edhe ajo e miratimit nga Parlamenti Europian do të vendosë se në cilin nga këto 3 muaj do të merret vendimi.
Nga votimi i vendeve anëtare, që heqja e vizave të hyjë në fuqi, duhet të kalojnë 20 ditë nga publikimi në fletoren zyrtare europiane.
Top Channel