Kryetari i Nënkomitetit për Europën i Komitetit të Politikës së Jashtme të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Bill Delahunt, përmes një letre drejtuar kryeministrit Sali Berisha ka shprehur shqetësimin për krizën politike që po kalon Shqipëria që pas zgjedhjeve të 28 qershorit.
Kongresmeni i lartë amerikan vlerëson progresin e bërë, i cili u kurorëzua edhe me anëtarësimin historik në NATO së bashku me afrimin e mëtejshëm me Bashkimin Europian.
“Sidoqoftë, duke pasur parasysh shembullin e fundit në lidhje me legjislacionin mbi shërbimin e inteligjencës, të cilin ju e tërhoqët nga Parlamenti nën presionin e aleatëve të NATOs, si dhe ngërçin politik që pasoi zgjedhjet parlamentare të vitit që shkoi, Shqipëria duhet të vazhdojë të konsolidojë institucionet e saj demokratike dhe të forcojë sundimin e ligjit”, është shprehur Delahunt.
Por pika më e rëndësishme për të cilën kreu i Nënkomitetit të Politikës së Jashtme për Europën në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA nxit kryeministrin Berisha që të realizojë është transpranenca e zgjedhjeve, si një mënyrë që do të forconte dhe konsolidonte më tej demokracinë.
“Jam në dijeni se një delegacion i kohëve të fundit i Këshillit të Europës ka propozuar një zgjidhje të krizës politike bazuar në parimet e mëposhtme, parime që janë të bazuara tek korniza kushtetuese e Shqipërisë: Krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009, të kryesuar nga një përfaqësues i opozitës dhe në të cilin opozita do të ketë një mazhorancë efektive; amendime të Kodit Elektoral, të përgatitura nga komisioni hetimor dhe në përputhje me rekomandimet e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë, si dhe me Rezolutën 1709; dhe dhënien opozitës së një pjese të drejtë të kryesive të komisioneve parlamentare”, ka shkruar Delahunt, duke kërkuar hapur hapjen e kutive.
“Për më tepër, ju nxis juve që të hapni kutitë e kontestuara të votimit, në kuadrin e hetimit parlamentar të propozuar. Ky veprim është në përputhje me një përkushtim të fortë ndaj procesit demokratik të lirë e të ndershëm dhe do të mundësonte një vlerësim të qartë në funksion të përmirësimit të sistemit elektoral në të ardhmen”, ka nënvizuar ai.
Zoti Delahunt thekson më tej në letër se nga zgjedhjet e besueshme dhe institucionet e forta demokratike në Shqipëri nuk do të përfitonte vetem populli shqiptar, por do të forcoheshin më tej edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA, si dhe pozicioni i Shqipërisë në NATO dhe Europë.
Në përfundim të letrës, zyrtari amerikan cilëson si të domosdoshme zgjidhjen në një kohë sa më të shkurtër të këtyre cështjeve. Është hera e parë që Shtetet e Bashkuara shprehen jo vetëm për krizën politike në vend, por edhe për rruget e zgjidhjes së saj, duke përmendur edhe kutitë.
Top Channel