Ndërsa presin me padurim liberalizimin e vizave, dy vendet e prapambetura të rajonit në këtë proçes, Shqipëria dhe Bosnja, janë kategorizuar ndryshe në performancën e tyre nga Komisioni Europian.
Formulimi “duket se vendi plotëson kriteret” përbën notën më të lartë që dëshmon përmbushjen e njërit apo tjetrit bllok të udhërrëfyesit.
Ashtu siç ishte përsëritur shpesh herë, Bosnja gëzon dukshëm pozicionin e vendit favorit, pasi me këtë formulim vlerësohen 3 nga 4 blloqet e udhërrëfyesit.
Edhe pse me një lexim të thellë krahasues të dy raporteve vëren se ky vend ka disa mangësi në raport me Shqipërine, vendi ynë notën më të lartë të Komisionit e gëzon vetëm për bllokun e parë, ndërsa Bosnja shënon mangësi vetëm në bllokun e tretë, atë të sigurisë dhe rendit publik. Kjo pritet të shtyjë Komisionin që në rekomandimin e tij për liberalizimin e vizave, të kushtëzojë të dyja vendet me misione të tjera ekspertësh për kriteret e paplotësuara.
Situata politike në Bosnje, por edhe keqardhja për muslimanet boshnjakë si të vetmit të penalizuar nga liberalizimi i vizave me Serbinë, janë disa nga arsyet pse ky vend shihet me përparësi në Bruksel.
Për të shmangur një krizë të thellë në Bosnjë, edhe NATO rendi se fundmi duke i ofruar “Planin e Veprimit për Antarësim”, kur dihet se vendi nuk i plotëson të gjitha kushtet për ta merituar.
Politikën e “karotës” synon dhe deklarata e Sarajevës, në takimin e ministrave të Jashtëm në qershor, me lëshimin e mesazhit pozitiv për vizat, përpara zgjedhjeve të vjeshtës në Bosnjë.
Me të gjitha përpjekjet dhe sado i lartë qoftë niveli i përmbushjes së kritereve nga ana e Shqipërise, nje pjesë e mirë e vendeve anëtare mendojnë se falë situatës së krijuar në Bosnje, mund të përfitojë edhe Shqipëria. Ekzistojnë dhe parashikime famëkeqe, sipas të cilave, Bosnjës mund t’i hiqen vizat përpara Shqipërise. Këto zëra që qarkullojnë korridoreve të Brukselit mbështeten edhe tek dallimi i qartë që është bërë nga Komisioni Europian në formulimin e ndryshëm të arritjeve që kanë shënuar të dy vendet.
Megjithëse, skenari me pozitiv për heqjen e vizave për Shqipërine mbetet vjeshta e këtij viti, përmendja e datës 1 janar 2011, nga përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së, por dhe nga vetë autoritetet shqiptare, ushqejnë edhe më tej zërat për diferencimin në këtë proçes, jo vetëm të dy vendeve, por dhe të kohës se kur do të përfitojnë nga heqja e vizave.
Top Channel