Megjithëse sot është koha e internetit dhe librat mund të lexohen edhe në formën dixhitale, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari janë bërë protagonistë të nderimit të ditës botërore të librit.

Ata firmosën një memorandum bashkëpunimi për shkëmbimin e koleksioneve të librave, në përpjekje për të nxitur dhe promovuar leximin, botimin dhe të drejtën e autorit.

Sipas traditës gati 100 vjeçare spanjolle prej nga merr simbolikën edhe dita botërore e librit, në nderim të shkrimtarit Servantes, zoti Plasari i dhuroi zonjës Topalli librin e artë, me përmbledhjen e botimeve të bibiotekave kombëtare të Europës, që hapet me autorin shqiptar Marin Barleti.

Ndërsa kryetarja e Kuvendit në një ceremoni tjetër, pak më vonë, i dhuroi rektoratit të Universitetit të Tiranës, botime të parlamentit të Shqipërisë, të sistemuara gjatë kohëve të fundit dhe që pasqyrojnë diskutimet e deputetëve, që prej parlamentit të parë shqiptar.

“Parlamenti ka botuar disa libra për diskutimet parlametare që nga 1920. Tani po bëhen edhe në formë dixhitale, që të shihen edhe nga publiku. Përmbajnë diskutimet e pjesës elitare të kohës, përpjekjet e saj në ndërtimin e shtetit”, është shprehur Topalli.

Edhe kryeministri Berisha është përfshirë në ditën botërore të librit, duke zgjedhur pjesëmarrjen në promovimin e librit të Papa Benediktit të 16-të, Jezusi i Nazaretit, i përkthyer për herë të parë në gjuhën shqipe.

I shkruar nga Papa Ratzinger gati 4 vjet më parë, libri është një analizë historike dhe teologjike e Jezusit, i përkthyer deri tani në 40 gjuhë të botës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA