
Parlamenti Europian zhvilloi një seancë dëgjimore në Strasburg me përfaqësuesen e Shqiperisë dhe Komisionin Europian mbi situatën politiko-ekonomike në vend.
Ambasadorja shqiptarë në Belgjikë, Mimoza Halimi përmendi vizitën e kryeministrit Berisha në Bruksel, duke treguar se situata politike ishte cështja kryesore e diskutimit në të gjitha takimet e zhvilluara.
E po kështu dhe shefja e njësisë për Shqipërinë dhe Malin e Zi në Komisionin Europian, Marta Garcia Fidalgo përcolli të njëjtat mesazhe që zyrtarët e lartë të BE-së i dhanë kryeministrit Berisha, ndonjëherë madje dhe duke ia ndërprerë vrullin e rrëfimit për mënyrën sesi e paraqet ai qëndrimin e opozitës.
“Kryeministri i ka propozuar liderit të opozitës që të marrë rekomandimet e OSBE/ODIHR, të ulet dhe të japë rekomandimet e tij për to”, ka deklaruar Mimoza Halimi.
Ndërsa Fidalgo është shprehur: “Dialogu politik nuk funksionon, Parlamenti nuk po funksionon dhe ky është shqetësim për cdo demokraci, është shqetësuese për Shqipërinë”.
“Për fat të keq, situata vazhdon të mbetet e njëjtë. Parlamentarët shkojnë atje vec për 60 minuta, pasi kështu e ka vendosur partia dhe nga ana tjetër ka një konfirmim për të vijuar protestat në rrugë. Është e drejta e opozitës që të demonstrojë dhe e drejte e qeverisë që t’u krijojë të gjitha lehtësirat që këto të jenë sa më të paqshme, pa dëmtuar sistemin”, ka shtuar Halimi.
Por Fidalgo ka insistuar se Brukseli nuk është i interesuar të dijë se kush është fajtori për situatën e krijuar, por për të parë sa më shpejt zgjidhjen e krizës.
“Është mëse e qartë se nuk është më koha për të gjetur se kush është pala fajtore, por është koha që të gjitha forcat të punojnë për të gjetur zgjidhjen”, ka thënë ajo.
Fidalgo tha se kjo cështje do të ishte mirë të zgjidhjej përpara zgjedhjeve lokale të marsit 2011. Përsa i takon opinionit të Komisionit mbi gadishmërinë e vendit për të marrë statusin kandidat, sipas saj nuk ka datë të qartë ende pasi përvec pyetjeve shtese, Komisioni do të kontaktojë me të gjitha organizatat vendase e ndërkombëtare për të pasqyruar sa më saktë realitetin.
“Ka shumë mundësi që ashtu sic vepruam me Malin e Zi, do të na duhet të dërgojmë pyetje shtesë. Do të organizojmë misione ekspertësh dhe sic po veprojmë dhe me Malin e Zi, do të bëjmë shumë përpjekje për te kontaktuar interlokutorët tanë”, ka pohuar Fidalgo.
Për heqjen e regjimit të vizave, Komisioni Europian konfirmoi se vendimi përfundimtar mund të merret gjatë presidencës belge, në gjysmën e dyte të këtij viti.
“Komisioni ka si qëllim që të prezantojë rekomandimin e tij, sipas të gjitha gjasave, në fund të majit, duke synuar miratimin e tij gjatë presidencës belge”, ka shtuar Fidalgo.
E pyetur nga eurodeputetja Doris Pack për ndikimin e bojkotit të opozitës në procesin e heqjes së vizave, Fidalgo tha se Komisioni bazon rekomandimin e tij vetëm në kriteret teknike.
“Nuk ka asnjë kriter teknik për vizat që lidhet me situatën politike, ndaj procesi vijon si i tillë”, ka nënvizuar shefja e Njësisë Shqipëri-Mal i Zi në KE.
Ndërsa Komisioni nuk merr parasysh situatën politike për rekomandimin e tij mbi heqjen e vizave, vendet anëtare të cilat marrin vendimin përfundimtar në vjeshtë, pas vlerësimit të misionit shtesë të eksperetëve në Shqiperi, rrezikojne të ndikohen nga kriza politike në vend.
Top Channel