Bollano: Gjyqet nuk ndikojnë në aktivitetin tim

22/04/2010 23:30

Në vijim të fjalës së tij në Top Story kreu i Bashkisë së Himarës dhe organizatës minoritare “Omonia” foli për proçeset gjyqësore ndaj tij në Gjykatën e Vlorës, keqkuptimet, sipas tij, mbi një deklaratë të vitit 2007, si dhe për problematikën e emërtimit në gjuhën greke të sinjalistikës rrugore në Bashkinë e Himarës.

“Gjyqet nuk kanë lidhje me kandidimin apo aktivitetin tim si kryetar bashkie. Gjyqet vazhdojnë rrugën e tyre, ndërsa mandati vazhdon funksionin, sikurse aktualisht jam kryetar. Këtu e 1 vit e ca nga zgjedhjet vendore do të diskutohet dhe do të shikohen problematikat, ecuria e tyre dhe do të gjykojmë se cili do të jetë përfaqësimi i organizatës Omonia në zgjedhjet vendore”, tha Bollano.

Bollano më tej sqaroi se ka patur një keqtrajtim të një deklarate të tij të vitit 2007 mbi krahësimin e trajtimit të minoritetit grek në Shqipëris sipas shembullit të Kosovës. Sipas tij Omonia asnjëherë nuk paralelizon të drejtat e minoritetit me ato të vendeve të tjera.

“Sqaroj publikun se nuk ka deklaratë të tillë, por ka një keqtrajtimn të një interviste të dhënë rreth muajit prill të vitit 2007 dhe ky keqtrajtim pastaj u përpunua. Unë kam akuzuar median elektronike dhe të shkruar e cila kërkoi të penetrojë dhe të keqinformojë opinionin publik. Nuk është as në filozofinë, as në mentalitetin e organizatës Omonia, por edhe unë si drejtues i saj, që ne të drejtat tona t’i paralelizojmë me të drejtat e komuniteteve, apo të vendeve të tjera. Ne kemi strategjinë tonë”, tha kreu i Bashkisë së Himarës.

Ndërsa mbi problemin e sinjalistikës rrugore në territorin e bashkisë së Himarës dhe emërtimet në gjuhën greke të kësaj sinjalistike, Bollano tha se i gjithë proçesi është kryer në zbatim të legjislacionit shqiptar.

“Në bazë të kodit rrugor të Republikës së Shqipërisë, vendosja dhe mirëmbajtja e sinjalistikës vertikale rrugore brenda territoreve të banuara është kompetencë e njësisë vendore. Kishte një vendim të Këshillit Bashkiak të Himarës për marrjen e vendimit, si për emërtimet edhe për gjuhën që duhet pëdorur dhe në sa gjuhë do të shkruhen dhe ishtë marrë një vendim që tabelat në sinjalistikën rrugore të shkruhen edhe në gjuhën greke. Fatkeqësia më e madhe është që me një gjyq të specializuar kundër Bollanos Prokuroria e Vlorës nuk më dha asnjë të drejtë. Gjykata e Apëlit sot kërkoi hetmin mbi mënyrën dhe trajtimin nga ana e Prokurorisë së Vlorës të çështjes ndaj zotit Bollano. Ligji nr.8652 në nenin 32 thuhet se është kompetëncë e njësisë vendore që të marrë vendime të kësaj natyre të administrimit dhe pozicionimit. Ligji 8652 thotë që emërtimet dhe gjuha që përdoret është kompetencë e këshillit bashkiak. Gjuha zyrtare është e padiskutueshme, nuk diskutohet gjuha zyrtare”, përfundoi fjalën e tij, Vasil Bollano.

Top Channel