Bankat, “luftë” për pagat e shtetit

20/04/2010 08:05

Pritet të hyjë shumë shpejt në fuqi vendimi i qeverisë, që lejon liberalizimin e marrjes së pagës në bankë, sipas interesit të vet nëpunësit dhe jo institucionit, sikurse veprohet aktualisht.

Ndërkaq, bankat kanë nisur mbledhjet maratonë për hartimin e paketave konkurruese, në mënyrë që të rekrutojnë sa më shumë nga “ushtria” prej 107 nëpunësve të shtetit nga administrata qendrore dhe lokale.

Marrja e pagës me bankë u bë e detyrueshme për punonjësit e shtetit në disa institucione me vendim qeverie në vitin 2004, derisa u plotësua për të gjithë. Çdo bankë negocionte me institucionin shtetëror, sa i takon kushteve për kalimin e pagave në sistem, ndërsa punonjësit ishin të detyruar ta zbatonin vendimin e eprorit, pavarësisht kostove që mbartte marrëveshja.

Me vendimin e ri, i miratuar më 7 prill nga Këshilli i Ministrave, tashmë çdo punonjës do ta zgjedhë vet bankën që dëshiron për të tërhequr pagën. Në këtë pikë, për bankat ofrohet mundësia e mirë për të përfituar nga situata, që për disa konsiderohet “thikë me dy presa”. “Do të na duhet të negociojmë jo më me institucionin, por me nëpunësin, që nuk janë pak në numër.

Vendimi i qeverisë, ka anën e mirë, por edhe të keqe. E para, na duhet të luftojmë për të ruajtur klientët aktualë, e më pas të tërheqim të tjerët që operojnë me bankat konkurrente”, thotë drejtuesi i një prej bankave më të mëdha në vend. Sipas një vëzhgimi të bërë në terren, me drejtuesit e bankave, vihet re se synimi kryesor janë kategoria e mësuesve, që nuk janë pak, por 35 mijë, 10 mijë efektivat e rendit, si dhe sektori i shëndetësisë. Paketat që do t’u ofrohen përmbajnë kushte më të mira sa i takon komisionit për përdorimin e kartave gjatë blerjes, si dhe zero komision për tërheqjen e cash. Institucionet do të kenë dy muaj kohë për plotësimin e dokumentacionit për lidhjen e kontratave të reja mes nëpunësve dhe bankave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA