Ngjela: Me Ramën ndaj të njëjtat parime

19/04/2010 21:55

Kryetari i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela ka deklaruar se partia e tij është bashkuar me PS për një kauzë të përbashkët.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Ngjela ka shpjeguar edhe arsyet përse ai ishte i pranishëm në kongresin e PS të zhvilluar ditën e diel.

“Këtu ende nuk është bërë traditë që shkohet në kongreset e tjetrit, sepse nuk i lë partia e punës. Këtu e shohin kundërshtarin si armik. Ne jemi aleatë, kemi bërë një marrëveshje, që nuk është një gjë e thjeshtë. Kjo ka qenë lëvizja ime që në fillim me PS, që marrëveshja nuk shkelet sic e shkel Saliu”, ka deklaruar Ngjela.

Avokati i njohur, i cili kur kandidoi për kryetar bashkie akuzoi kryetarin aktual të PS për vjedhje votash, ka shpjeguar edhe detajet e kësaj marrëveshjeje.

“Unë bashkëpunoj për 3 gjëra, parlamentarizmi, tregu i lirë dhe prona. Kjo është cështje që ka ngrirë gjithë zhvillimin. Nëse një parti e madhe mi pranon këto parime, unë e mbështes”, është shprehur Ngjela.

Sipas tij, ideologjia e kësaj marrëveshjeje është rrëzimi i qeverisë Berisha, e cila sipas tij përvecse ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura, ka bllokuar zhvillimin e vendit dhe po e zhyt atë në varfëri.

“Hapi tjetër është rrëzimi i kësaj qeverie, që është e paligjshme, në regres, ka bllokuar zhvillimin dhe po kalon gjëndjen nga varfëria në mjerim. Kemi një kryeministër që është kapur me vjedhjen e votave”, ka nënvizuar Ngjela, duke shtuar se në vend nuk do të ketë zgjedhje lokale pa u zhvilluar më parë zgjedhje të parakohshme.

Top Channel