Curri dëshiron dhe një herë ngjitjen në Bundesligën 2

19/04/2010 13:00

Është 35 vjeç, por vazhdon të shkëlqejë në radhët e skuadrës së tij. Prandaj ëndërron të luajë edhe një sezon në Bundesligën 2.

Bëhet fjalë për kavajasin Skerdilajd Curri, i cili militon në Ligën III në radhët e skuadrës Erzgebrige Aue. Shqiptari është pjesë e kësaj skuadre që pas sezonit 2003. Sezoni i kaluar ishte i pafat për të, pasi së bashku me Auen iu nënshtrua rënies nga Bundesliga 2. Por një vit më vonë mundësitë për t’u kthyer sërish janë shumë të mëdha. Erzgebirge duket e sigurt në rrugën e saj drejt ngjitjes.

Fitorja e së shtunës 3-1 ndaj Holstein Kiel, ishte shumë e rëndësishme për realizimin e këtij qëllimi. Për momentin Curri po kalon një formë shumë të mirë, edhe pse s’ka pak kohë që është rikthyer nga një dëmtim që kishte pësuar. Me golin shumë të bukur të shënuar me kokë në Dormtund ndaj skuadrës vendase, kavajasi realizoi një dëshirë të tij. Më në fund mund të gjente golin pas një kohe të gjatë mungese.

“Sa më shumë shtohen vitet e moshës, aq më e vështirë bëhet të shënosh, por njëkohësisht aq më shumë të shijon ai gol”, thotë duke qeshur Curri.

Tashmë është e njohur, që ai është një lojtar model për shokët e tij të skuadrës, por falë përvojës së tij të madhe është edhe një legjendë që u fut frikën kundërshtarëve në mesfushë. Ndihmon në ngritjen e moralit të skuadrës dhe duket i palodhur në fushë. Pas një fillimsezoni jo shumë të mirë, tashmë është shndërruar në një ndër lojtarët më të vlerësuar të Erzgebirges. Curri dëshiron të rikthehet në Bundesliga 2.

Sigurisht që do të ishte një mbyllje e keqe e karrierës për në Ligën III, prandaj ëndërron që në moshën 36-vjeçare të luajë sërish me Auen një kategori më lart. Për këtë, Skerdi është gati të japë gjithçka. Edhe shokët e tij e dëshirojnë, pasi për të gjithë ata, kjo do të jetë hera e parë që do të mund të luajnë në Bundesligën 2. Erzgebirge Aue kryeson me 61 pikë Ligën III gjermane, por rivalët janë shumë pranë.

Top Channel