Barcelona me autobus për në gjysmëfinale

19/04/2010 14:30

Reja e hirit vullkanik që ka paralizuar të gjithë qiellin europian, ka detyruar skuadrën e Barcelonës të zgjedhë udhëtimin tokësor me autobus për të shkuar në Milano.

1 mijë km dhe 12 orë rrugë do të përshkruajnë katalanasit e Pepe Guardiolës për t’u ndeshur me Interin në “San Siro”, ndeshja e parë gjysmëfinale e Ligës së Kampioneve.

Katalanasit janë nisur të dielën, e kanë kaluar natën në Cannes të Francës dhe të hënën në mëngjes janë nisur për Milano, që është rreth 350 km nga qyteti francez.

Nuk është udhëtimi ideal për një ndeshje të një rëndësie kaq të madhe, por lojtarët e Barcelonës janë të bindur se do të kthehen me një rezultat pozitiv në Kamp Nou.

Për këtë sfidë do të mungojë Andres Iniesta, ndërkohë që janë rikthyer Zlatan Ibrahimovic dhe francezi Abidal.

Edhe skuadra franceze e Lionit ka imituar në këtë pikë, Barcelonën duke u nisur me autobus drejt Mynihut, ku të mërkurën do të ndeshet me Bajernin e drejtuar nga Van Gal.

Top Channel