Një ditë më pak se Taulant Balla është dënuar deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Maliqi, i cili në fjalën e tij ka folur me tone të ashpra ndaj opozitës.
Byroja parlamentare e mbledhur mbrëmë ka vendosur që Maliqi të përjashtohet për 13 ditë nga pjesëmarrja në seancat plenare.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i ka tërhequr vëmendjen deputetit të Partisë Demokratike, Lefter Maliqi, pasi në fjalën e tij në seancën plenare ka përdorur fjalor të pahijshëm për disa nga deputetët e Partisë Socialiste.
Ajo, pasi i ka tërhequr disa herë vërejtje deputetit Maliqi për gjuhën që po përdorte gjatë fjalimit të tij, ka deklaruar se do të mblidhte edhe byronë e Kuvendit për të vendosur për të.
Një akt i tillë pason atë të ndëshkimit që iu bë një javë më parë deputetit socialist, Taulant Balla, me dy javë përjashtim nga Kuvendi për fjalor të pahijshëm ndaj Kryeministrit Berisha.
Ndërkaq, në fjalën e tij, deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Maliqi, ka deklaruar se kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, në vitin 1997 ishte veshur si zonjë, ndërsa e ka cilësuar deputetin socialist Erion Braçe si rrugaç, i cili në vitin 1996 ka qenë xhepist dhe qytetarët e Beratit e kanë goditur etj.
Top Channel