Seria A, Inter rimerr kreun

16/04/2010 23:10

Interi rimerr kryesimin e Serisë A pasi ka fituar derbin e Italisë me Juventusin 2-0.

Një ndeshje e ashpër fizike ka filluar me dominimin e juventinëve të cilët janë të parët që vënë në provë portierin e Interit Hulio Sezar, por pa mundur të shënojnë.

Ishte minuta e 37-të kur ndërhyrjet e ashpra nga të dyja skuadrat ndalen me kartonin e kuq të Sisokosë pas një ndërhyrje të ashpër ndaj Zanetit.

Edhe pse me 10 lojtarë skuadra e Zakeronit arrin të mbajë barazimin 0-0 në pjesën e parë, por vetëm kaq. Në të dytën Interi tregohet me agresiv dhe shton presionin duke mbyllur në gjysmëfushën e tyre Juventusin.

Pas disa rasteve të humbura të Militos, Maikon shënon një supergol në minutën e 75-të duke çuar topin aty ku nuk mund të arrinte Bufon.

Disavantazhi i bën më nervozë juventinët që lënë hapësira prapa, Baloteli godet traversën pas një goditje standarte, ndërkohë Shnajder po nga një goditje e tillë gjen të përgatitur Bufon.

Në fundin e lojës Muntari i jep mundësinë Etosë të shënojë edhe golin e dytë për të vulosur këtë fitore që momentalisht i rikthen Interit kryesimin deri në ndeshjen e Romës ditën e dielë me Lacion.
Ndërkohë juventinët kanë vazhduar protestat ndaj gjyqtarit dhe tensioni është rritur deri në daljen nga fusha lojës, aq sa Kielini godet dhe një nga stendat e intervistave gjatë daljes nga fusha e lojës.

Kjo humbje i rrezikon Juventusit edhe vendin e gjashtë pasi Napoli që ndodhet pas tyre është vetëm 2 pikë larg me një ndeshje më pak.

Top Channel