
Mbërrin për votim në Komisionin parlamentar të Ekonomisë projektligji shumë i diskutuar “Për taksën e përdorimit të truallit shtetëror”.
Drafti i parashikuar për t’u votuar dje është shtyrë për në mbledhjen e ardhshme, dhe ku pritet të ketë diskutime të forta.
Në thelb të projektligjit është vendosja e taksës 10 për qind në vit për tokat në përdorim, sipas vlerës së tregut për çdo metër katror.
Referuar relacionit shpjegues, taksa do të aplikohet mbi shumën që del nga sipërfaqja e tokës shumëzuar me çmimin e çdo metri katror, pjesa e të cilës shkon për llogari të shtetit si normë tatimi.
Ekspertë të fushës mendojnë se norma 10 për qind e taksës nuk përputhet me standardet e vendeve të tjera, si dhe rezulton e padrejtë për aq kohë sa nuk vendoset mbi të ardhurën e krijuar nga toka që përdoret.
Tjetër detaj i projektligjit është e drejta që u jepet pronarëve të këtyre tokave që t’i privatizojnë brenda afatit 12-mujor nga hyrja në fuqi e ligjit.
Gjithashtu, vendimi i qeverisë që pritet të kalojë në Kuvend përfshin edhe ndërmarrjet e privatizuara, kurse toka u është dhënë vetëm për përdorim, ndërsa nuk preken trojet në vendet turistike, në proces legalizimi apo të dhëna për investitorët potencialë.
Skema
Në plan të parë duket se qeveria kërkon të vendosë taksë mbi trojet shtetërore në përdorim, por që në fakt qëllimi është privatizimi i tyre. Të gjitha ata që kanë truall në përdorim, do të detyrohen që të paguajnë rentën në nivelin 10 për qind. “Renta mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror, është detyrim vjetor.
Niveli i rentës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror është 10 për qind e vlerës së tokës. Për llogaritjen e vlerës së truallit, në vite të ndryshme, do të shërbejë harta përkatëse e vlerës së trojeve, e miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me dispozitat e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës. “Pagesa e rentës bëhet brenda 15 shkurtit të vitit tjetër. 20 për qind e vlerës, shkon për bashkinë apo komunën ku është vendosur prona në përdorim dhe 80 për qind për buxhetin e shtetit”, thuhet në projektligj.
Projektligji
Objekt i këtij ligji, është rregullimi dhe sigurimi i mbledhjes së të ardhurave nëpërmjet vendosjes se rentës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror në përdorim të individëve, që kanë përfituar nga procesi i privatizimit të ndërtimeve mbi truallin shtetëror, saktëson neni 1 i projektligjit. Renta mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror, është detyrim vjetor, kurse niveli i rentës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror është 10% e vlerës së truallit shtetëror në përdorim.
Për llogaritjen e vlerës së truallit, në vite të ndryshme, do të shërbejë harta përkatëse e vlerës së trojeve, e miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me dispozitat e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës. Për vjeljen e taksës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror, ngarkohen drejtoritë rajonale tatimore.
Top Channel