Pakti me Greqinë, Kushtetuesja zbardh vendimin

15/04/2010 15:10

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur të plotë vendimin për papajtueshmërine e Marrëveshjes Detare që Shqiperia ka firmosur me Greqinë.(UPDATE)

Në shpjegimin e vendimit prej 46 faqesh, Gjykata Kushtetuese e konsideron të papajtueshme Marreveshjen me Kushtetutën në katër pika. Për Gjykaten Kushtetuese Marrëveshja e lidhur “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, midis Greqisë dhe Shqipërisë është e papajtueshme me Kushtetutën per:

a. mospajisjen e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes;
b. mangësitë serioze në përmbajtjen e marrëveshjes;
c. moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm;
d. mosmarrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.

Vendimi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese ka qenë me të gjithe anëtaret e saj në favor të zgjidhjes së kesaj marrëveshjeje. Sipas gjykatësve, janë shkelur nenet, 3, 4, 7 dhe 92 të Kushtetutes.

Ndërkohe që sipas një investigimi të korrespondentëve të Top Channel në Athine, insistimi i palës greke për firmosjen e marrëveshjes nuk ka të bëjë me dëshirën për mbylljen e cështjes, por me faktin se marrëveshja u jep grekëve një zonë shumë të rendësishme naftëmbajtëse. Sipas burimeve pranë Ministrisë greke të Jashtme pala greke ishte në dijeni të faktit që zona e Jonit verior, është ndër më të pasurat me naftë dhe gaz. Rezervat e saj të naftës i kalojnë 4 miliardë fuci dhe i japin përfitime të medha ekonomike fqinjëve tanë.

Por një ndarje e barabartë e ujrave, do t’i jepte Shqipërisë të drejtën e shfrytëzimit të zones së pasur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA