Durrës, pranga 4 zyrtarëve të ALUIZNI-t

15/04/2010 20:20

Katër punonjës të zyrës së ALUIZNI-t në qytetin e Durrësit janë arrestuar gjatë operacionit të koduar “Legalizimi”.

Të arrestuarit Qamil Byberi drejtues i zyrës së Aluiznit Shkozet, Rexhep Kucana, Gentiana Gjepali, përgjegjës të grupeve të kontrollit të territorit dhe Gjon Doci, specialist terreni, akuzohen për veprën penale të korrupsionit pasiv.

Të katër këta punonjës dyshohet se kundrejt ryshfetit  kanë kryer legalizime për ndërtime të papërfunduara  brenda afatit të lejuar, apo kanë legalizuar ndërtime mbi gjendjen faktike duke i përfshirë në hartat elektronike.

Arrestimi i tyre u krye bazuar në vendimet e gjykatës ku për tre prej të arrestuarve është vendosur masë sigurie arrest me burg, ndërsa për Gentiana Gjepalin arrest shtëpie.

Në bazë të hetimit rezulton se veprime të tilla janë kryer kundrejt shumave që varionin nga 30 mijë lekë deri në 1000 euro në varësi të madhësisë së ndërtimit.

Ndërkohë që hetimet vazhdojnë pasi dyshohet se të tjerë persona mund të jenë implikuar në këtë veprimtari.

Top Channel