Cani: Krizën ekonomike e shkaktoi qeveria

15/04/2010 21:55

Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani ka kritikuar qeverinë, duke e cilësuar atë si të papërgjegjshme për deklaratat se në vend nuk ka krizë ekonomike.

Duke folur në emisionin “Top Story”, Cani është shprehur se qeveria ka mashtruar shqiptarët me deklaratat e saj për rritjen e lartë ekonomike.

“Daljet publike të zyrtarëve të lartë shqiptarë, që shfrytëzojnë rastin për të kapur një shifër për të dhënë optimizmin jo në kahun e duhur dhe të zhvasësh një shifër në një moment kur nuk ke kapur një muaj të tërë nuk tregon seriozitet, por është lojë e mashtrimit”, ka deklaruar Cani.

Sipas tij, mohimi i krizës nga ana e qeverisë ishte kriza e parë që përfshiu vendin, e cila u pasua nga mashtrimi me shifrat e paraqitura nga institucionet zyrtare.

“Kishte artikulime që Shqipëria është vendi i progresit të shkëlqyer, kishte zyrtarë që thoshin se kriza nuk do të prekë Shqipërinë, etj. Kjo ishte kriza e parë, që nuk mund të nxjerrë atë që mundohen zyrtarët tanë të thonë sot. E dyta është kriza e transparencës. Fundi i vitit 2008, viti 2009 dhe fillimi i vitit 2010 po e dëmton transparencën. INSTAT vetë i dha shifrat 9.9 të GDP, ndërkohë që na del se është 6.5. Doemos që këtu politika do të përzihet”, ka pohuar Cani.

Ish-guvernatori i BSH ka paraqitur edhe disa nga gabimet që sipas tij ka bërë qeveria, duke e vënë theksin tek mungesa e sigurimit të depozitave dhe tek buxheti.

“Së pari kemi mossigurimin e depozitave, sepse kriza do të vepronte në Shqipëri. Ky është nje veprim i vonuar, që ka sjellë efekte në likuiditet. Veprimi i dytë lidhet me qeverinë. Që në tetor unë personalisht kam paralajmëruar qeverinë të tërheqë buxhetin e paraqitur me një rritje ekonomike tej mase. Unë kam bërë llogaritjet se të ardhurat e Shqipërisë për vitin 2009 nuk do të realizoheshin në 20 miliardë. Kjo solli rritjen e deficitit, u rrit borxhi publik. Janë 20 miliardë që i kanë humbur buxhetit”, ka nënvizuar Cani.

Ai ka shtuar më tej se një tjetër gabim që ka bërë qeveria është se nuk i ka kushtuar vëmendje dobësimit të lekut, gjë që është një tjetër shkak për rrënimin e ekonomisë.

“Kemi edhe dobësimin e lekut, që do të thotë se kemi një ekonomi të keqe. Treguesit janë të gjithë negativë, kemi një krizë të shkaktuar krejtësisht nga qeveria”, ka shtuar Cani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA