Beqja: Vendi ndodhet në krizë të thellë

15/04/2010 21:40

Deputeti socialist, Ilir Beqja ka deklaruar se vetë qeveria e ka pranuar krizën pasi ministri Bode dhe kryeministri Berisha janë shprehur se vendi po del nga kriza.

Gjatë debatit në “Top Story”, Beqja nenvizoi se në 3 mujorin e fundit të vitit 2009 dhe 3 mujorin e parë të vitit 2010, ekonomia shqiptare ka pasur një rënie të ndjeshme.

“Viti u mbyll sipas qeverisë me 3 %, por as kjo nuk është e vërtete. Ndërkohë, të gjithë treguesit e tjerë tregojnë se rritja nuk është 3 %. Edhe nëse i quajmë optimiste të dhënat e eksportit, dua të them që dy muajt e parë të këtij viti janë ekzaktësisht sa mesatarja e eksporteve të vitit 2008. Vazhdojmë të jemi në një situatë krize në mënyrë të mirëfilltë”, thekson Beqja.

Më tej ai shtoi se PS ka paralajmëruar që në pranverën e vitit të shkuar se vendi po e ngadalësonte rritjen ekonomike, por sipas tij, tashmë, një vit më pas, vendi ndodhet në krizë. “Kemi fshehje të plotë të shifrave. Në një situatë pa asnjë konfirmim shifrash, ky fakt të bën të kërkosh të dhëna alternative”, shton Beqja.  

Në vijim ai shprehu shqetësimin për rritjen e krevisë konsumatore. “Po rritet shumë kredia konsumatore ndërkohë që ka rënë kredia afatmesme. Pra shifrat tek kredia janë alarmante. Kjo ka bërë që të shtohet vështirësia në ekonominë e vendit. Situata në vendin tonë është pasojë e politikave të gabuara. Vazhdimi i mospranimit të krizës ka bërë që të mos merren masa. Viti 2009 është viti më i keq i financave publike në dekadën e fundit”, shtoi deputeti i majtë.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA